Është çelur në Durrës Panairi Ndërkombëtar i Librit Shqip “DurrësScript”, i cili zhvillohet për të katërtin vit radhazi në shëtitoren bregdetare të qytetit. Ai është një nismë e shoqatës kulturore “Durana”, nismë e cila mbështetet nga Bashkia e Durrësit dhe këtë edicion, edhe nga Ministria e Kulturës. Në këtë Panair marrin pjesë rreth 65 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Italia, Rumania, Anglia etj.
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako, ka qenë e pranishme në hapjen e panairit ku merrnin pjesë edhe prefekti i Durrësit Roland Nasto, deputeti Roland Xhelilaj etj. Kryebashkiakja Sako deklaroi se ky është një ndër aktivitetet më të rëndësishme kulturore të qytetit.
“Përveç aktiviteteve me karakter lokal e kombëtar, Durrësi është kthyer edhe në një qendër të aktiviteteve ndërkombëtare kulturore njëri prej të cilëve është edhe Panairi Ndërkombëtar i Librit. Ky panair është në edicionin e katërt të tij dhe interesi i shtëpive botuese shqiptare, por edhe të atyre që kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë është i madh, e po kështu edhe i lexuesve durrsakë por edhe atyre që vizitojnë Durrësin. Unë jam një lexuese e rregullt dhe i përkas një brezi që ka lexuar shumë. Vlerësoj shumë këtë panair dhe përgëzoj shoqatën “Durana” që e organizon atë. Brezit të ri që duket se sa vjen e lexon më pak do të doja t’i bëja një thirrje nga ky panair, të lexojnë sa më shumë dhe të marrin mesazhet që përcjellin këta libra. Ky panair është ndër aktivitetet më të mira kulturore të qytetit. Bashkia e Durrësit i jep mbështetje këtij eventi për vlerat e rëndësishme që ai mbart. Libri është një shok i përjetshëm, që të shoqëron në çdo hap të veprimtarisë tënde.”
Njëri prej organizatorëve të panairit dhe kreu i shoqatës “Durana”, poeti dhe botuesi Aqif , deklaroi se ashtu si edicionet e kaluara edhe këtë vit ka disa risi.
“Duhet nënvizuar fakti që në këtë panair, përveç shtëpive botuese marrin pjesë edhe shoqata e ente të tjera botuese, të cilat i japin Panairit larmi tematike, pasi aty gjen libra artistikë, shkencorë, profesionalë, shkollorë, të mësimit të gjuhëve të huaja etj. Nga Greqia marrin pjesë dy shoqatat kulturore, si “Drita” dhe “LiterArt”, të cilët janë kthyer në promotorë të kulturës e letrave shqipe në emigracion, nga Italia, autorët më në zë përfaqësohen me stendën e tyre nëpërmjet konfederatës FINAI etj.
Nga viti në vit, Panairi ka pasuar rritje si në pjesëmarrje, në cilësi, në zhvillim takimesh e bashkëbisedimesh me krijues e personalitete të letrave, por edhe si vizitorë. Njerëzit duhet të lexojnë sa më shumë sepse ata që e adhurojnë të lexuarit janë pikërisht ata që sjellin përmirësim të shoqërisë.”
Panairi vizitohet nga 45 mijë deri në 50 mijë vizitorë në çdo edicion. Si dhe në edicionet e kaluara, edhe këtë vit janë rreth 800 tituj të rinj librash, të botuar enkas për katë panair. Qarkullojnë mesatarisht 6.000 deri 10.000 tituj librash në çdo edicion të këtij panairi.