Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt ka zhvilluar për dy orë një takim me ish-kryetaren e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.
Në përfundim të takimit, ambasadori nuk preferoi të komentojë, por ka thënë vetëm se “ishte një takim i zhvilluar prej dy orësh, ku jane diskutuar shumë gjëra”.
I pyetur nëse është folur rreth zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe se çfarë mund të ndodhë më tej, ambasadori u shpreh shkurtimisht “natyrisht që po”.
Sipas burimeve, në takimin "kokë më kokë" mes Borchardt dhe Ademit janë diskutuar një sërë çështjesh, që lidhen me zgjedhjet vendore. Mësohet se Ademi i ka shprehur ambasadorit problematikat për paligjshmërinë e votimeve të 30 qershorit, siç pretendon opozita, dhe shkelje të tjera.





