Emiljano Vila është goditja e radhës në Durrës. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka firmosur për Teutën dhe pritet të jetë një element i rëndësishëm për trajnerin Shkëmbi gjatë sezonit të ardhshëm.Mesfushori ofensiv durrsak shprehu gatishmërinë dhe dëshirën për të lënë shenjë me fanellën e kësaj skuadre. Ai beson te forca që ka Teuta dhe mendon se ka ardhur momenti që durrsakët të rikthehen fuqishëm në garën për të fituar një titull me rastin e 100-vjetorit të klubit.

Emiljano, çfarë nuk shkoi te Kërkyra që u larguat?

Arsyeja kryesore që u largova ishte pagesa. Në fillim gjërat shkuan mirë dhe u transferova me shumë dëshirë, ku nënshkrova edhe një kontratë 3- vjeçare, por nuk ecën ashtu siç duhet për një futbollist profesionist. Problemet nisën që nga pagat dhe derisa arrita të shkoj në gjyq me klubin. Tani jam lojtar i lirë.

Jeni bërë pjesë e Teutës. Çfarë ju bindi të firmosni për këtë klub?

I lumtur në radhë të parë u ktheva aty ku jam rritur pas gati 10 vitesh. Këtu është shtëpia ime dhe këtu jam rritur si futbollist. Më bindi projekti që klubi ka dhe janë seriozë në çdo aspekt. I falënderoj të gjithë për besimin, duke filluar që nga presidenca e deri te trajneri Shkëmbi, por edhe të gjithë ata që kanë besim tek unë. Shpresoj te kthehem ai Vila që kam qenë dikur.

Çfarë ofertash të tjera keni pasur?

Të them të drejtën kam patur shumë oferta nga jashtë, por duke parë dhe këto problemet e fundit me aventurat që kam pasur jashtë, vendosa të luaj për Teutën. Në Shqipëri Teuta ishte zgjedhja e parë ose më saktë zgjedhje zemre mund të them, duke ditur që 10 vite nuk janë pak dhe detyra ime është të jap maksimumin për këtë klub.

Mendoni se do të përshtateni shpejt te Teuta, duke parë dhe ambientin që ka ndryshuar goxha pasi u larguat…?

Normal, për një futbollist përshtatja është kryesorja, por besoj, siç e thashë edhe më lart, se këtu jam në shtëpinë time. Ky është qyteti im dhe për një si unë që vesh fanellën e qytetit është e padiskutueshme që do jap jo 100%, por 200%. Do të jap më të mirën time në radhë të parë për qytetin tim, sepse të veshësh pas 10 vitesh fanellën e Teutës është kënaqësi e dyfishtë.

Duke parë që këtë vit Teuta feston 100-vjetorin e krijimit dhe afrimin e shumë lojtarëve durrsakë, mendoni se ka ardhur momenti për të fituar titullin kampion?

Pa dyshim që është një gjë e mirë, pasi është 100-vjetori i një emri të madh si Teuta dhe ka kaq shumë vite që del në Kupat e Europës. Këtë vit, pse mos tentojmë pak më shumë…?! Do të doja që edhe me rikthimin tim t’ia shpërblej klubit me një titull kampion që të gjithë durrsakët e presin.