Interi nuk kërkon të humbasë kohën duke menduar për Romelu Lukakun, që duket se është pranë marrëveshjes me Juventusin. Zikaltrit nuk kanë pranuar të paguajnë 80 milionë euro për belgun duke u tërhequr nga bisedimet.
Edhe pse vetë lojtari i Mançester Junajtid dëshiron të luajë për Interin e Antonio Kontes, vlera e tij është e papërballueshme për italianët, të cilët tani kanë kthyer sytë nga Edin Xheko një (dëshirë e vjetër) dhe Edison Kavani. Roma kërkon 20 milionë euro për sulmuesin boshnjak. Interi shpreson të paguajë jo më shumë se 15 milionë për 32-vjeçarin.
Por një propozim i ri (15 milionë plus bonuse) nga zikaltrit mund të kënaqte interesat e verdhekuqve, të cilët do ta linin lojtarin t’u bashkohet 18 herë kampionëve të Italisë. Romakët nuk duan ta humbasin lojtarin me kosto zero në fund të 2020-ës dhe po mundohen ta mbyllin marrëveshjen me Interin në javën e ardhshme.
Marota po mendon seriozisht të rikthejë “El Matador” në Seria A. Sulmuesi uruguaian mund të jetë një lojtar i Interit nëse Parisit do t’i plotësoheshin kërkesat që ka për sulmuesin. Parisienët kërkojnë 50 milionë euro për 32-vjeçarin, një shifër që do të paguhej menjëherë nga Interi. Problemi qëndron vetëm te paga e lartë e lojtarit.
Në Francë ai fiton 12 milionë euro në sezon me kontratën që skadon në qershorin e 2020-ës, Kavani do të ishte i gatshëm të niste një aventurë të re me Interin nëse këta të fundit do të paguanin aq sa francezët.Por kjo vështirë të ndodhë, pasi zikaltrit nuk mund të ofrojnë më shumë se 9 milionë euro. Të njëjtën shifër që do të merrte edhe Lukaku nëse do të vinte në Milano.
Presidenti Zhang do të ishte i gatshëm që ta çonte shifrën në 10 milionë me një kontratë 3-vjeçare për ish-sulmuesin e Napolit. Kontes gjithashtu i pëlqen uruguaiani, i cili njihet si një “kanibal” përpara portës duke i dhënë një dorë Interit në sezonin e ri. Italianët priten të bëjnë një goditje të dyfishtë në ditët e ardhshme që priten të përforcojnë jo pak skuadrën për sezonin e ri.





