Mesfushori i skuadrës së Teutës, Uendi Vecaj, rrëfen gjithçka. Sezonin e shkuar e konsideron të suksesshëm dhe ai është i bindur se Teuta do të bëjë një kampionat të veçantë. Por mbi të gjitha, është i gatshëm të pranojë çdo gjë për të mirën e “djemve të detit”.

Uendi, urime, rinovuat edhe për tri vite me Teutën?

Jam i lumtur që jam sërish pjesë e kësaj skuadre. Falënderoj shumë presidentin dhe trajnerin që patën besim tek aftësitë e mia. Do të bëj të pamundurën t’ua shpërblej.

Çfarë do të thotë Teuta për Uendi Vecajn?

Teuta do të thotë përgjegjësi e madhe. Në këtë ekip duhet të jesh gjithmonë në më të mirën tënde. Duhet të japësh maksimumin dhe pak më shumë, sepse vështirë që të falen gabimet. Teuta është klub i madh në Shqipëri. Ekipi ku kanë luajtur lojtarët më të mirë në Shqipëri.

Arsyeja që u larguat nga Dinamo e Zagrebit, çfarë nuk shkoi?

Nga Dinamo ika shpejt dhe arsyeja kryesore ishte se nuk m’u garantuan minuta për të luajtur. E them me plot sinqeritet, sepse unë jam i ri dhe kam nevojë të aktivizohem dhe të tregoj vlerat e mia, pasi kam shumë për të dhënë. Nuk shkova aty për pushim dhe nuk e kisha ndërmend të bëja jetë luksoze apo të shkoja çdo ditë në plazh, por kisha synime. Këto nuk u përputhën në fund fare. Nuk ika me ndonjë keqardhje apo keqkuptim, më komunikuan që hapësirat për mua do të ishin të pakta. Kështu që nuk u lashë zgjidhje tjetër.

Në aspektin personal doni të jeni titullar, paçka se keni shumë rivalitet?

Nuk më intereson fare kush luan titullar. Duam që ekipi të fitojë. Unë jam i gatshëm kur të ketë nevojë ekipi që të jap maksimumin.

Keni ende çfarë të jepni për këtë Teutë?

Mendoj se kam për të dhënë shumë më shumë dhe do e arrij atë. Sa herë që futem nga stoli apo titullar, mundohem t’i jap një rrjedhë tjetër lojës.

Cili duhet të jetë objektivi i Teutës në këtë sezon?

Ne duhet të kemi vetëm një drejtim, përpara dhe vetëm fitore. Pavarësisht se ke kemi kundërshtarë, të gjithë skuadrat për ne do të jenë kundërshtarë shumë të vështirë, në çdo ndeshje kemi mundësi të befasojmë këdo. Objektivi ynë do të jetë gjithmonë një paraqitje e mrekullueshme me armët që kemi. Shpresojmë të arrijmë rezultate të gëzueshëm me çdo ekip. Gjithsesi, ne do të synojmë gjithmonë fitore dhe për një klasifikim të mundshëm do shohim në fund fare.