Pas largimit të portierit Isli Hidi, mesfushorit Gerhard Progni dhe sulmuesit Tomislav Bushiç, Teuta synon që të afrojë lojtarë që kanë spikatur në ekipet pretendente, por edhe të tjerë jashtë Shqipërisë.
Burime në klub treguan se priten ndryshime rrënjësore në grupin e lojtarëve që mbyllën sezonin e fundit, ndaj një pjesë e këtyre futbollistëve nuk do të jenë në skuadër për sezonin e ardhshëm.Mësohet se drejtuesit e klubit aktualisht po punojnë për përzgjedhjen e disa lojtarëve cilësorë që do të jenë pjesë e Teutës për sezonin e ri. Largimet kanë nisur prej ditësh nga skuadra. Një pjese të mirë të lojtarëve u ka përfunduar kontrata që i mbante lidhur me Teutën dhe pasi diskutuan me presidentin për të mësuar të ardhmen e tyre, vendosën ta mbyllnin bashkëpunimin.
Gjithsesi, baza e ekipit pritet të jetë pak a shumë e njëjta, me disa përforcime në të tria reparte: portë, mesfushë dhe sulm. Në ditët në vazhdim lojtarë të rinj pritën t’i bashkohen Teutës, por drejtuesit nuk duan të nxitohen. Skuadra vijon pushimet dhe tashmë angazhimet kanë kaluar te krerët e klubit, që në bashkëpunim me menaxherë të ndryshëm po studiojnë disa futbollistë. Në Durrës kanë nisur që të mendojnë për të forcuar skuadrën dhe nuk është çudi që brenda kësaj jave të ketë afrime.
Për të pasur një ekip solid duhet të ketë edhe një merkato të tillë dhe ata që janë “zgjuar” aktualisht janë vetëm drejtuesit e bregdetarëve. Mbyllja e marrëveshjeve me futbollistë të rinj, por edhe ata të organikës janë vetëm disa nga detyrat e tyre në këtë fillim sezoni. Fillimisht, Teuta po mendon të konsolidojë lojtarët aktualë dhe i pari që pritet të rinovojë është mesfushori Uendi Vecaj.
Paraqitjet mjaft të mira në sezonin e fundit kanë bindur durrsakët për t’i ofruar një kontratë të re mesfushorit, i cili ishte thelbësor në rrugëtimin e Teutës drejt Kupave të Europës. Vecaj mësohet se ka prishur kontratën me Dinamon e Zagrebit dhe pritet të rinovojë me Teutën, duke qenë një alternativë bindëse për krahët e sulmit durrsak.
Bledi Shkëmbi dhe stafi i tij teknik do ta nisin nesër zyrtarisht punën me Teutën për sezonin 2019-2020. Pas disa ditësh pushim, ekipi do të zbresë në fushë në ambientet e stadiumit “Niko Dovana”. Të gjithë lojtarët që janë nën kontratë me Teutën, do të punojnë normalisht nën drejtimin e Shkëmbit, ndërsa gjatë javës me shumë mundësi do të afrohen edhe futbollistët që pritet të zëvendësojnë të larguarit. Vetë trajneri ka kërkuar përforcime pas përfundimit të angazhimit europian.





