E ardhmja e Bekim Balës do të jetë në Austri, te Strum Graz. Sulmuesi kuqezi, i cili prej disa sezonesh ka luajtur me Akhmat Grozny-n në Rusi, ka firmosur kontratë 2-vjeçare me klubin austriak, me opsion rinovimin edhe një sezon tjetër.

“Asnjëherë nuk është e lehtë të gjesh zgjidhjen më të mirë për majën e sulmit, por unë jam i kënaqur me afrimin e Bekim Balajt, sepse më bindin cilësitë e tij fizike dhe kapaciteti atletik. Veç të tjerash, afftësia e tij në lojën ajrore është një armë plus për ta ndihmuar ekipin tonë,” – deklaroi drejtori sportiv i Sturm Gracit, Günter Kreissl.

Ndërsa vetë Balaj, në lidhje me këtë lëvizje në karrierën e tij, u shpreh: “Sturm Graz është një skuadër me traditë dhe me mbështetje të madhe nga tifozët. Kjo është ajo që më pëlqen, prandaj është shumë e rëndësishme që të integrohem sa më shpejt për të ndihmuar skuadrën.”

28-vjeçari shkodran, ka eksperiencë të madhe në kampionate të ndryshme europiane. Në Shqipëri ka spikatur te Vllaznia dhe Tirana, duke fituar 3 herë Kupën e Shqipërisë, ndërsa jashtë vendlindjen ka luajtur më Genclerbirligi, Slavia e Pragës, Sparta Pragës, Jagiellonia Bialystok, HNK Rijeka dhe Akhmat Grozny. Gjithashtu numëron 21 ndeshje me përfaqësuesen kuqezi.