Nuk kanë fund çudirat në futbollin afrikan. Sulmuesi i skuadrës nga Malavia, Nyasa Big Bullets, Hasan Kajoke, u zgjodh futbollisti më i mirë i ndeshjes, dhe si shpërblim iu dhurua një pulë.

Kajoke, i cili shënoi dy gola në fitoren 5-0, teksa në fundin e sfidës, një tifoz i dorëzoi pulën në një kuti kartoni ku shkruhej “Kajoke BB”.

Ky moment është fotografuar, teksa po bën xhiron e internetit. Ky vlerësim duket se është pritur mjaft mirë nga futbollisti, i cili tashmë është bërë i famshëm, pas këtij momenti. “Ju vetëm duhet ta doni një tifoz të Bullets”, shkroi klubi në “Facebook”.

Nuk është hera e parë që të tilla situata ndodhin në futbollin afrikan. Kujtojmë që më herët, në Afrikën e Jugut, Mamelodi Sundouns, mori si shpërblim 5 giga byte internet, për performancën e tij në fushë.

Ndërkohë në Zimbabve, futbollistëve u janë dhuruar arka me birrë. Çudirat nuk përfundojnë këtu, pasi në Ganë janë dhuruar sandale për futbollistin më të mirë të ndeshjes, ndërsa në Botsvana, pako me ushqime.

Për sa i përket lojtarëve të famshëm që kanë fituar çmimin “Njeriu i Ndeshjes”, Lionel Mesi është mbreti i padiskutueshëm.Ai e ka fituar 225 këtë çmim që nga sezoni 2010/2011, ndërkohë në vendin e dytë, renditet Kristiano Ronaldo me 100 më pak se ylli argjentinas.