Mesfushori i skuadrës së Teutës, Florent Avdyli, rrëfen aventurën e tij te durrsakët. Sezonin e shkuar e konsideron të suksesshëm. Avdyli është i bindur se Teuta do të bëjë një kampionat të veçantë.
Florent, Teuta u eliminua nga Europa vetëm pas një turi. Çfarë mendoni që nuk shkoi ndaj Ventspilsit?
Skuadra më pëlqeu shumë në dy përballjet me Ventsplisin. Ishim shumë strikt në zbatimin e detyrave taktike dhe kjo na jep bindje për të ardhmen e Teutës. Për mua, ndikoi pak edhe pjesa e eksperiencës në Europë. Pavarësisht se zhvilluam dy ndeshje të mira, nuk arritëm të vazhdonim më tej në Ligën e Europës.
A ka pika të forta dhe të dobëta Teuta e sezonit të ri?
Duhet të fillojë viti, që të shohim këtë ekip. Është një skuadër për t’u zbuluar. Tek Teuta dhe çdo ekip, po nuk pate grupin, nuk ke asgjë. Nuk je i fortë, nëse s’ke një skuadër të mirë dhe grup. Pika më e dobët duhet të zbulohet gjatë vitit.
Deri më sot që flasim, Teuta ka afruar disa lojtarë. Si ju duken lëvizjet e drejtuesve në këtë merkato?
Merkatoja e futbollistëve sivjet më duket e kujdesshme dhe e goditur. Deri tani, gjërat po bëhen siç duhet dhe siç i ka hije një klubi të madh si Teuta. Afrimet janë pozitive. Personalisht, unë kam shumë besim se janë të duhurit. Duhen vlerësuar zgjedhjet e trajnerit Shkëmbi, i cili ka bërë merkaton.
Çfarë duhet të presim nga skuadra në sezonin e ri?
Teuta këtë vit do të jetë e bukur për t’u parë në fushën e lojës. Kemi ndërtuar një ekip që ka mundësi të fitojë çdo ndeshje.
Janë larguar disa lojtarë dhe kanë ardhur të tjerë. Sipas jush, a është ekipi i kompletuar?
Akoma nuk jemi kompletuar 100%. Duhen edhe disa lojtarë të tjerë.
Është 100-vjetori i klubit. Duhet të mendojmë se Teuta do të fitojë një trofe këtë vit jubilar?
Nuk mund të bëjmë premtime të mëdha. Ekipi është ndërtuar për sa më lart. Gjithsesi, ne gjithçka duhet t’ia lëmë fushës dhe të shohim javë pas jave. Por, ekipi është cilësor dhe mund të arrijë maksimumin në edicionin e ri.





