Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi zhvilloi një takim në Sarandë me Task Forcën për mbarëvajtjen e sezonit turistik nga ku kërkoi një koordinim më të mirë të punës mes të gjitha institucioneve në mënyrë që sezoni turistik në këtë qytet të mos ketë probleme.
Në mënyrë të veçantë ai e vuri theksin tek niveli i ndotjes akustike dhe tek siguria ushqimore ku kërkoi nga inspektorët e AKU-së që t’i përmbahen planeve të tyre të inspektimit dhe të veprojnë me etikë dhe qytetari.
"Nuk lejohen më zhurmat pas orës 12:00 të natës. Më shumë ne përfitojmë lavdërime dhe turistë duke kufizuar zhurmat sesa duke i prishur qetësinë 10 apo 20 pushuesve që duan muzikë me volum të lartë. Ndërkohë 500 të tjerë që janë rreth e rrotull shqetësohen që kanë ardhur me pushime dhe nuk kalojnë asnjë ditë të qetë. Duhet të veproni me seriozitetin maksimal, por me kulmin e etikës dhe edukatës. Kjo është themelore për të pasur një fytyrë të shtetit ashtu siç duhet dhe për të garantuar gjithë pushuesit. Nëse pushuesi mund të të falë disi zhurmën, kur vjen puna tek ushqimi askush nuk toleron. Prandaj duhet të jemi shumë rigoroz në këtë drejtim", tha Çuçi.





