“Djemtë e detit” vijojnë me intensitet të lartë përgatitjet për duelin e 11 korrikut kundër Ventspilsit. Teuta do të luajë miqësoren e radhës, ku përballë do të kenë Septemvrin, skuadër që militon në Ligën e Dytë të Bullgarisë. Ky test do t’i shërbejë trajnerit Shkëmbi për të parë vijueshmërinë e skuadrës së Teutës në prag të pjesëmarrjes në Ligën e Europës.

Stërvitja e djeshme e durrsakëve u zhvillua në Razlog, Bansko, dhe zgjati rreth dy orë. Mes ritmit të lartë punës dhe përkushtimit të futbollistëve, seanca e djeshme filloi si zakonisht me nxemje dhe vrapime të lehta të drejtuara nga stafi teknik me në krye trajnerin Bledi Shkëmbi, për të vijuar më tej me ushtrime fizike dhe lojë me top.

Stafi e ka pasur të plotë grupin e futbollistëve, ku të gjithë po punojnë fort për të qenë gati për duelin e parë me Venstspilin, ku synohet rezultati pozitiv. Vlen të theksohet se atmosfera brenda grupit është mjaft pozitive, gjithashtu nuk mungon optimizmi dhe dëshira për t’u rikthyer sa më të fortë.

Me skuadrën po stërvitet edhe mbrojtësi Renato Arapi, i cili e ka kaluar dëmtimin. Ai është rikuperuar dhe tashmë është nën urdhrat e trajnerit Shkëmbi dhe ndihet gati për sfidat kundër Ventspilsit. Në programin javor skuadra edhe do të vijojë me përgatitje për takimin miqësor kundër Septemvrit.