Pas një eksperience të gjatë në Superligën greke me disa ekipe si Panionios, Atromitos, Iraklis, Apollon Smyrnis e Kerkyra, mbrojtësi Aleksandër Kuro do të veshë tashmë fanellën e Teutës. 26-vjeçari zbulon se projekti që ka klubi, e bindi që të ishte pjesë e skuadrës durrsake.

Aleksandër, çfarë ju bindi për të firmosur me Teutën?

Arsyeja kryesore për të cilën isha i bindur të firmosja, është fakti që Teuta është një ekip i madh dhe nuk e diskuton pjesëmarrjen në Europë. Plus kësaj, edhe dëshira ime ishte që të kaloja te Teuta. Këtu kam gjetur një ambient mjaft të mirë, pasi të gjithë shokët e skuadrës më afrojnë. Ambientimi me ekipin nuk është i vështirë, duke qenë se çunat tregohen të mirë dhe i kam afër si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së blertë.

Si e vlerësoni zgjedhjen për të luajtur me Teutën?

Besoj se është më e mira që kam bërë dhe shpresoj të shkoj mirë. Megjithatë, kjo do të vërtetohet më mirë kur të zhvillohet kampionati duke parë ecurinë e tij. Ndërkaq, jam i lumtur që do të vesh fanellën e Teutës.

Çfarë synimesh keni te Teuta?

Është një skuadër e madhe në futbollin shqiptar, e cila në çdo kampionat hyn me synimin për të fituar trofe. Jam i bindur se do ndërtohet një ekip cilësor dhe se do luftojmë deri në fund për të fituar trofe. Kam shumë besim se Teuta e sezonit të ardhshëm do të jetë dhe me e fortë dhe pse jo mos të fitojmë diçka.

Si mendoni, sa larg do të shkojë Teuta këtë verë në Europë?

Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe të mos mendojmë që tani për të ardhmen. Të përqendrohemi vetëm te turi i parë, ta kalojmë atë dhe pastaj mendojmë për turin e dytë dhe kështu me radhë.

Po ndeshja e parë ndaj Ventspils si ju duket?

Nuk e njoh kundërshtarin që kemi në turin e parë të Ligës së Europës. Mendoj vetëm që duhet pasur vlerësim maksimal dhe nëse do ta kemi, patjetër që do ta kalojmë.

Çfarë premtoni për tifozët e Teutës?

Tifozëve të Teutës u premtoj se do të bëj maksimumin në fushë për Teutën. Kërkojmë mbështetjen e tyre në tribuna dhe në fund të festojmë së bashku.