Blajigo Todorovski ishte përforcimi i dytë zyrtar i Teutës. Mbrojtësi flet për pritshmëritë dhe objektivat në sezonin e ri.Në sezonin e fundit, Blajigo Todorovski ka luajtur me Shkëndijën e Tetovës.
34-vjeçari erdhi me parametra zero në Durrës, pasi i kishte skaduar kontrata me tetovarët. Ai tashmë pritet të zërë një vend në krahun e djathtë të mbrojtjes ku do të zëvendësojë Erlis Frashërin e larguar.
Blajigo, prej më shumë se dy javësh jeni lojtar i Teutës. Cili është impakti juaj i parë për klubin?
Impakti i parë është shumë pozitiv. Të gjithë më kanë pritur shumë mirë. Ndihem mjaft mirë për këtë lëvizje. Këtu gjithçka ecën në sinkron dhe qetësisht.
Çfarë ju bindi të firmosni për Teutën?
Ka shumë arsye, por veçanërisht klubi dhe projekti që kryesia më parashtroi, pa dyshim edhe objektivat madhorë që ka Teuta.
Si është gjendja e ekipit pas një javë përgatitjesh në Bansko?
Jemi duke u stërvitur shumë mirë në Bansko, ndërsa po zhvillojmë dy seanca stërvitore në ditë. Për fat, jemi mirë fizikisht dhe shpresoj që kështu të vazhdojmë gjatë gjithë sezonit. Nuk kemi pasur as probleme me dëmtimet dhe ky fakt na favorizon ndjeshëm për të vijuar punën me të njëjtin ritëm.
Jeni ambientuar me ekipin? Dhe a besoni se do kaloni një tur në Europë?
Po, jam ambientuar shumë shpejt, pasi këtu është një grup kompakt dhe lojtarët kuptohen shumë mirë me njëritjetrin, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Starti i Europës po afron, por unë di të them se jemi të fokusuar vetëm te stërvitja momentalisht. Vetëm kur të vijë java e ndeshjes së parë, atëherë do te flasim për Ventsplisin, meqenëse është kundërshtari ynë.
Sa e njihni kampionatin shqiptar dhe çfarë dini për të?
Në dijeni time është një kampionat shumë kompetitiv dhe me pak diferenca mes skuadrave. Kam lexuar dhe në Maqedoni për futbollin shqiptar dhe është shumë i fortë dhe njëkohësisht i luftuar. Shpresoj të bëj sa më mirë për këtë skuadër.
Keni pasur oferta nga ekipe të tjera të Superiores?
Të them të drejtën, jo. Teuta ishte i vetmi ekip në Shqipëri që më kontaktoi dhe kërkoi shërbimet e mia. Jam i lumtur që tani jam këtu.
Mesazhi juaj për tifozërinë durrsake?
Premtoj se do të jap maksimumin për tifozët, ndërsa ata të vijnë sa më shumë në stadium, në mbështetje të ekipit. Ata duhet të jenë lojtari ynë i 12-të dhe mbështetja e tyre është vërtet thelbësore.





