Teuta vazhdon përgatitjet në Bansko të Bullgarisë, me stafin teknik që po mundohet t’u marrë maksimumin lojtarëve në këtë periudhë. Ndeshja e parë në Ligën e Europës e durrsakëve është më 11 korrik ndaj Ventspils në Letoni.Skuadra durrsake ka bërë disa ndryshime në kontingjentin e saj, duke larguar 8 dhe afruar po kaq futbollistë. Ekipit iu bashkuan edhe fantazisti Sherif Kallaku, i cili kaloi problemin e vogël që kishte në hundë, si dhe afrimi më i fundit, sulmuesi Darko Nikaç.

Gjatë ditëve të fundit, ajo që ka shqetësuar stafin teknik ka qenë dëmtimi i mbrojtësit Renato Arapi, por edhe i mesfushorit Fabian Beqja.Arapi ka pësuar një tërheqje të lehtë në kofshë, që e detyroi të mos luante në miqësoren kundër Botevit dy ditë më parë. Edhe Beqja ka probleme fizike dhe të dy lojtarët po vazhdojnë periudhën e riaftësimit, duke mos u stërvitur me grupin. Fizioterapisti i Teutës, Aden Gripshi, ka sqaruar se gjendja e të dy lojtarëve po përmirësohet.

“Për fat të mirë, dëmtimet janë të një grade të lehtë dhe nuk duan shumë kohë për t’u riaftësuar. Gjithsesi, nuk duam të rrezikojmë për t’i aktivizuar lojtarët në ndeshje miqësore”, ka thënë pjesëtari i stafit mjekësor të durrsakëve.

Ndërkohë, në program, skuadra durrsake ka zhvillimin e një ndeshjeje miqësore të enjten ndaj Akademija Pandev, klubit maqedonas që financohet nga ish-sulmuesi i Interit, Goran Pandev.