Një ditë pas protestës së opozitës që i parapriu dhe shoqëroi takimin elektoral të Edi Ramës në Durrës, nënkryetari i degës lokale Arlind Boshku deklaron për DurrësLajm se tashmë të gjithë e kanë kuptuar se kryeministri mund të bëjë fushatë vetëm kur është i rrethuar nga FNSH dhe efektivët e policisë. Ndërsa pak ditë na ndajnë nga data 30 qershor, datë kjo kur kreu i ekzekutivit deklaron se do të mbahen zgjedhjet lokale, Boshku thekson disa herë gjatë intervistës se në Durrës nuk do të zhvillohet procesi zgjedhor të dielën e fundit të qershorit.
PD-ja e Durrësit është e vendosur të intensifikojë aksionin opozitar në ditët në vijim. “Protestat do të jenë të vazhdueshme në çdo cep të qytetit të Durrësit. Zgjedhje më 30 qershor nuk ka!”, deklaron Boshku, ndërsa thekson se në një kohë kur opozita nuk merr pjesë në zgjedhje, Rama vijon të shfaqet përkrah Dakos apo Elton Arbanës, që dolën në përgjimet e dosjes 339.
“Edhe pa opozitën në garë, ai shfaqet në krah të Dakos, Arbanës e Bushit, të cilët dalin në përgjime për manipulime të procesit zgjedhor në vitin 2017. Kjo tregon që Rama nuk heq dorë sërish nga manipulimi edhe pa kundërshtarë”,- thotë nënkryetari i degës lokale.
Mbrëmjen e së hënës u mbajt protesta e mbështetësve të PD-së dhe takimi elektoral i Ramës në qendër të Durrësit? Çfarë mesazhesh morët pas protestës, a ia arriti ajo qëllimit?
Sigurisht që ia arriti qëllimit. Si në çdo qytet tjetër të vendit, Rama nuk është më i mirëpritur! Fushatë elektorale siç bën Rama nuk kemi parë kurrë më parë! Fushata e Ramës është me FNSH-në dhe me Gardën nga pas, me gjithë policinë e qarkut të Durrësit!
PD-ja e cilësoi vizitën e Ramës në Durrës si rikthim të kriminelit në vendin e krimit, ndërkohë që kryeministri deklaroi se Dako do të vazhdojë të respektohet dhe adhurohet në Durrës për punët që ka bërë në 12 vite. Si e konsideroni ju këtë deklaratë të Ramës?
Në vendin e krimit erdhi edhe po kryen krim sërish… Ai vazhdimisht shkel ligjin! Presidenti ka anuluar dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor!
Rama u shfaq mbrëmë në krah të Vangjush Dakos dhe Elton Arbanës, dy emra të dalë në përgjimet e dosjes 339/1. Nga maxhoranca nuk ka pasur asnjë reflektim kur në shtyp u publikuan përgjime të dy dosjeve më të nxehta që sipas opozitës faktojnë fenomenin e shitblerjes së votës. Sipas jush, pse nuk kemi asnjë pezullim nga puna, procedim penal apo tërheqje të kandidatëve nga gara?
Kjo tregon frikën që ka Rama. Edhe pa opozitën në garë, ai shfaqet në krah të Dakos, Arbanës e Bushit, të cilët dalin në përgjime për manipulime të procesit zgjedhor në vitin 2017. Kjo tregon që Rama nuk heq dorë sërish nga manipulimi edhe pa kundërshtarë.
Jemi në ditët e fundit para zgjedhjeve të 30 qershorit. Sapo mbyllët një protestë në Durrës. Si do të vazhdojë aksioni opozitar në ditët në vijim në qytetin tonë? A parashikohet protestë tjetër?
Protestat do të jenë të vazhdueshme në çdo cep të qytetit të Durrësit. Zgjedhje më 30 qershor nuk ka!
Ka rreth dy javë që PD-ja e Durrësit ka nisur punën për ngritjen e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë. Në ç’fazë është aktualisht kjo Aleancë dhe cilat janë hapat që ajo do të ndërmarrë për të penguar zgjedhjet?
Ne jemi në takime të vazhdueshme me qytetarë të nderuar, intelektualë, artistë, të cilët çdo ditë i bashkohen kauzës tonë.
Zoti Boshku, besoj se keni kontakte të përditshme me qytetarët. Çfarë perceptoni prej tyre, si e shohin ata krizën politike që po kalon vendi?
Qytetarët durrsakë janë të shqetësuar kur në qytet mbizotëron krimi, papunësia, pasiguria. Njerëzit janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhi më 30 qershor. Turizmi është një pikë delicate, pasi shumë turistë të huaj kanë anuluar rezervimet e tyre.
Tema kryesore thuajse në çdo qytet të Shqipërisë është a do të ketë zgjedhje në 30 qershor. Në gjykimin tuaj, do të mbahen zgjedhjet për të cilat këmbëngul kryeministri?
Zgjedhje farsë nuk ka dhe nuk do të ketë. 30 qershori nuk ekziston.
Çfarë do të ndodhë në 30 qershor në Durrës?
Ju thashë edhe një herë që zgjedhje nuk ka.
M.B.





