Nga Andi Bushati
Të gjithë skeptikët që kanë pasur dyshime nëse opozita duhet të bojkotonte apo jo zgjedhjet lokale me Edi Ramën, sot e kanë marrë një përgjigje më shumë. Atë ia kanë dhënë pesë kamikazë të Kolegjit Zgjedhor që kanë mbi kokë kosën e reformës në drejtësi, njësoj si Arta Marku apo Donika Prela që nuk hetojnë dot narkotrafikantët që vjedhin vota.
Këta të pestë, Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj, vendosën këtë të hënë se dekreti i Kreut të Shtetit për anullimin e 30 qershorit si datë zgjedhjesh është i pavlefshëm.
Por, më qesharak sesa vendimi që morën është mënyra si ata u përdorën për të mbërritur deri aty.
Pasi Ilir Meta plasi bombën e anullimit të zgjedhjeve, pasi dekreti i tij hyri në fuqi kur u botua në Fletoren zyrtare, Rilindjes që nuk tërhiqej nga zhvillimi i zgjedhjeve moniste, i duhej një shteg ligjor për të shpëtuar. Për këtë shërbeu partia pa anëtarë e famozit Idajet Beqiri. Ajo i bëri një kërkesë KQZ-së gjoja për t'u ç’rregjistruar nga zgjedhjet pas dekretit presidencial. KQZ sipas planit i’a hodhi poshtë.
Dhe nga një përdorimsh Beqiri mori vlerë dy përdorimshe sepse iu drejtua Kolegjit Zgjedhor, në mënyrë që t'i jepte mundësi Edi Ramës për t’u justifikuar se një gjykatë e hodhi poshtë moslejimin e zgjedhjeve.
Dhe ngjau pikërisht ashtu sikurse Lapsi.al e kishte parashikuar se do të ndodhte që në 13 qershor (lexo linkun poshtë).
Pra, partiza e Beqirit i shërbeu kombit duke zgjidhur krizën më të madhe kushtetuese që ka kaluar ndonjëherë Shqipëria.
Ata pesë gjykatës, duke marrë përsipër të mos lejonin ç’rregjistrimin e “Unitetit…” nga gara i shpëtuan fytyrën dhe lundrimin në paligjshmëri Edi Ramës.
Për ata gjyqtarë nuk ka aspak rëndësi argumentimi juridik që kanë zgjedhur, i rëndësishëm është përdorimi politik. Sepse ata u bënë pjesë e një makinerie të skicuar në zyrën e kryeministrit, për mënyrën se si fushata do vazhdonte në mënyrë të paligjshme, se si KQZ do sillej si një bandë që interpretonte dekretet presidenciale, se si do futej në lojë Idajet Beqiri, se si shfaqen e tij do ta vazhdonte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të mbyllur në fund historinë në Kolegjin Zgjedhor.
Pra, Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj, nuk bënë asgjë më shumë sesa ajo që tha Edi Rama vetëm një minutë pasi u njoh me dekretin e Metës: ai është i pavlefshëm dhe presidenti duhet shkarkuar.
Në këtë kuptim, ata janë disa mjeranë që tremben për vendin e punës, me të cilët nuk ia vlen të merresh. Fabula e tyre ka rëndësi për tjetër gjë. Ajo ka rëndësi për të na dëshmuar se deri në ç’pikë e ka kapur për gryke shtetin Rilindja.
Ndryshe pse PS do ta vazhdonte fushatën kur së paku formalisht dhe përkohësisht ajo ishte pezulluar me ligj pas dekretit të Metës? Ndryshe pse KQZ do të sillej aq politikisht duke u shtirur se ky dekret ishte i pavlefshëm? Ndryshe policia pse do të zbatonte urdhrat partiakë, se zgjedhjet do të zhvillohen me çdo çmim, pavarësisht nga rezervat e bashkive të drejtuara nga opozita?
Le të supozojmë për një moment se dekreti i Metës ishte antikushtetues dhe në tejkalim të kompetencave presidenciale. Le të supozojmë se ai mund të rrëzohej, jo ekskluzivisht nga gjykata kushtetuese që mungon, por nga kolegji apo gjykata administrative…
Por përsëri dalim te pyetja: pse asnjë organizëm shtetëror nuk priti qoftë dhe vendimin e këtyre gjykatave minore?
Përgjigja është e thjeshtë: se ato e dinin paraprakisht vendimin që do të merrej. Në çdo autokraci nuk ka vend për surpriza.
Edhe Kolegji Zgjedhor i kësaj të hëne këtë vërtetoi. Ai dëshmoi se pushteti e ka shtrirë në arkivol shtetin.
Dhe qoftë edhe vetëm për këtë bojkoti i opozitës ishte tejet i vlefshëm. Për të na treguar se deri ku mund të zhyten duart në krim. Për të na bindur se si sillen banditët kur ua lë fushën bosh: njësoj si grabitësit me maska përpara kasafortave të hapura të një banke.