Nga gazetari Elkier Bushkolaj
Ardiani është shoku im i fëmijërisë më të cilin deri në moshën 18 vjeç jemi rritur në Durrës, teksa si dy të ardhur, ai nga Dibra e unë nga Mirdita lidhëm miqësi që vazhdon edhe sot, ndonëse shkollimi, puna, por edhe emigrimi prej 12 vitesh nuk na e mundësojnë më takimin e përditshëm.
Ai e nisi shkollën e lartë pak me vonesë, por mbaroi shkëlqyeshëm Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Durrësit, ndërkohë gjatë viteve të shkollës punonte me periudha të shkurtra në Greqi.
Në përfundim të universitetit nuk gjeti dot punë në profesion, e për vite me radhë bëri punë të ndryshme derisa sa i’u rikthye sërish emigrimit.
Pak javë parë me merr një numër i panjohur dhe pas telefonit ishte shoku im Ardiani.
Ai së bashku me një patriot të tij sapo kishin ardhur me autobus nga Gjirokastra deri në Plepa dhe kishin mbetur aty.
Kur i takova kuptova ç’kishte ndodhur me ta dhe pa folur shumë nisem t’i çoj në shtëpitë e tyre, teksa Ardiani më sqaroi se pasi kishin kaluar malin në këmbë drejt Greqisë ishin kapur nga policia e vendit fqinj, e në burg u kishin marrë paratë dhe sendet me vlerë i kishin nisur drejt Shqipërisë.
Kjo histori më erdhi ndërmend kur pashë deputetin, Taulant Balla, që nga Selaniku u bënte apel shqiptarëve që jetojnë e punojnë atje të vinin e të votonin, por për asnjë çast nuk premtoi se klasa politike do bënte të mundur që ata ktheheshin e ta ndërtonin jetën e tyre në vendlindje.
Kjo kërkesë bëhej në hollin e një hoteli luksoz, e më siguri eskorta që shoqëronte Ballën nuk ka shkuar në Greqi në këmbë përmes malit si shumica prej atyre që ishin dëgjues premtimesh që mbetën në letër në atë takim.
Shumica e emigrantëve shqiptarë në Greqi nuk punojnë as në metropole, as në zyra luksoze, por në bujqësi, ndërtim apo në sektorin e shërbimeve, punë që mund ta bënin dhe në Shqipëri.
Nuk kanë si kthehen në atdhe kur paga e një jave punë në fqinjin tonë Greqi është e barabartë me pagën e 3 muajve në Shqipëri, të mos flasim për standartin e pagave në raport me vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
Një grua shqiptare që ka punuar për vite të tëra në një fabrikë këpucësh në Shqipëri nën e “mbretërinë” e kimikateve, trajtimit si skllave dhe është paguar vetëm 22 mijë lekë në muaj, do ti duken ullishtet e Greqisë si parajsa mbi tokë.
Përtej turpit vjen qejfi thonë, ndaj kjo klasë politike nuk ka as ndrojtjen më të vogël ti shikojë në sy këta emigrantë dhe t’u kërkojë të kthehen e të votojnë për ta , ndonëse për 30 vite, po këta politikanë nuk u’a mundësuan votën në vendet ku punojnë.
Nuk e di se si ndihen emigrantët kur u rastis të ndjekin televizionet shqiptare e duhet të shohin e dëgjojnë si luftohet egërsisht nga politika për “Babalen”e “Xhisielen” për trafikantë që udhëtojnë me politikanë dhe kriminele që vendosin për fatin e zgjedhjeve lokale, për politikanë që më fjalorin e tyre tregojnë se në kuvend kanë shkuar me votat e getove dhe jo të qytetarëve.
As nuk dua ta mendoj se si ndihen ata që u kërkojnë të kthehen të votojnë në tokën amë, kur në parlament edhe falë votave të tyre do shkojë, Kujtim Gjuzi, Selami Jenisheri, anonim pas anonimi, dreqi e biri dreqit së bashku me një një tufë të marrësh e eunukësh që kanë kthyer kuvendin në kohën e Lenka Çukos e Gjela Bibës, ku fjala e shefit madh dhe duartrokitjet që e pasonin zinin 90 % të zhvillimeve të seancës.