Në një prononcim për gazetarët pas takimit që pati me të ngarkuarën me punë të ambasadës së SHBA, kryedemokrati Lulzim Basha theksoi se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje, pasi dekreti i Presidentit Ilir Meta është botuar në "Fletoren Zyrtare".
Sipas tij, më 30 qershor është dita kur nis fundi i regjimit autokratiko kriminal i Edi Ramës.
"Sot kemi ligjin e zbatueshëm që thotë 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh. Çdo hap i Edi Ramës, fushata, mitingje elektorale, janë në fakt të paligjshme. 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh, është data kur Edi Rama do përpiqet t’i kthejë shqiptarëve zgjedhjet njëpartiake me bashkëpunimin e krimit të organizuar. 30 qershori është dita kur nis fundi i regjimit autokratiko kriminal të Edi Ramës. Edi Rama do përpiqet të ketë një proces falsë votimi”.
I pyetur nga gazetarët nëse do ketë akte dhune dhe si planifikon opozita që të pengojë votimet në 30 Qershor, Basha nuk tha asgjë nëse kanë një plan të tillë.
"Është një mashtrim total dhe një shërbim që i bëhet Edi Ramës dhe klikës së tij mafioze. S’ka zgjedhje më 30 qershor. Nuk ka zgjedhje pa opozitën. Procesi zgjedhor pa opozitën nuk është proces zgjedhor, nuk ka dhe nuk do të ketë. Nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen".





