Ndërsa pak orë na ndajnë nga takimi elektoral i kryeministrit Rama në sheshin kryesor të Durrësit, demokratët e qytetit dhe jo vetëm janë duke u organizuar për “surprizën” e rezervuar kreut të ekzekutivit.

Protestës së lajmëruar për t’u mbajtur në orën 18.30, do t’i bashkohet edhe ish-deputetja demokrate, Fatbardha Kadiu.

Në një prononcim për DurrësLajm, Kadiu shprehet se “së bashku me familjarët e mi, ashtu si çdo qytetar i ndershëm do protestoj kundër hajdutëve të bizneseve, kundër hajdutëve të votave dhe si çdo prind do protestoj kundër rrugeçërve që kanë pushtuar zyrat e shtetit”.

Kryeministri Rama pritet të mbajë sot pasdite në Durrës, takimin e rradhës në kuadër të turit elektoral në 61 bashkitë e vendit. Tashmë kur kemi hyrë në javën e fundit të fushatës elektorale dhe Rama shpreh vendosmërinë e tij për të shkuar në zgjedhje në 30 qërshor, opozita e bashkuar ka deklaruar se do të intensifikojë protestat në çdo qytet, për të pamundësuar mbajtjen e votimeve në këtë datë.

M.B.