Gjatë konferencës nga selia blu, kryedemokrati Lulzim Basha paralajmëroi ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj se do të mbajë përgjegjësi bashkë me gjithë drejtorët e policisë që çuan në qeli ish-deputetin e PD-së Bardh Spahia.
Ndër të tjera Basha ftoi qytetarët në protestën e nesërme pa dallim partiake ndërsa tha se zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ndëshkimi përmes drejtësisë janë rruga e opozitës drejt së ardhmes.
"Ata që i shërbejnë në mënyrë të verbër Ramës le ta dinë që ai nuk iu mbron dot më, kur dhunoni njerëz mos harroni nesër do ta provoni në palcë forcën e drejtësisë. Sandër Lleshaj, vegla më e ftohtë dhe e pashpirtë e Edi Ramës shkëlqen me shërbim e tij teksa nxit vëllavrasjen, dhunimin dhe persekutimin mes shqiptarëve. Secili prej jush nga Ardi Veliu deri tek Roland Hasa me shokë edhe ju do të jeni në burg shumë shpejt. Në qelinë ku është Bardh Spahia do jetë njëri prej jush. Në qelinë ku ndodhen nëna e baballarë do të jeni ju. Shqipëria ka nevojë për një operacion të thellë për të hequr kancerin e së keqes dhe të tillë do ta ketë. Ajo pjesë e policisë, prokurorisë, administratës që do të mbetet do të jetë vetëm pjesa e ndershme, e aftë dhe që punon për interesin publik. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ndëshkimi përmes drejtësisë është rruga jonë drejt së ardhmes. Në Shqipëri nuk do të ketë më të fortë as në politikë, as në institucione dhe as në rrugë. Boll më me Shqipërinë si plaçkë e tyre. Boll më me shqiptarët kokëulur dhe në gjunjë para tyre. Është koha për Shqipërinë e te gjithë shqiptarëve. Për këtë ju ftoj te bashkohemi si popull, si njerëz të lirë, si prindër dhe bij e bija shqiptarësh të ndershëm, si qytetarë pa dallime partiake, nesër në orën 20:00 në protestën kombëtare në Tiranë",- tha ai.





