Goditja e madhe e Teutës në merkaton e verës pritet të jetë një sulmues, i cili do të bëjë diferencën nga pjesa tjetër e grupit. Të paktën ky ishte edhe premtimi që bëri vetë kreu i klubit durrsak, Edmond Hasanbelliu.

Ka qarkulluar emri i sulmuesit që mbylli sezonin te Shkëndija e Tetovës, Izair Emini. Ky i fundit ka qenë më parë pjesë e Kukësit dhe duket një alternativë bindëse për të forcuar sulmin e Teutës. Mirëpo, nga ana e drejtuesve durrsakë nuk ka asnjë konfirmim për afrimin e tij.

Më parë është negociuar me Sebino Plakun, një dëshirë e trajnerit Shkëmbi, por sulmuesi tiranas preferoi një aventurë në Kosovë me Llapin.

“Synimi ynë madhor në këtë periudhë është që të afrojmë një sulmues, i cili do të bëjë diferencën. Ideja është që të jetë më i mirë se këta që kemi. Do të jetë shqiptar apo i huaj, këtë nuk di ta them tani”, ka thënë presidenti Hasanbelliu. Njëkohësisht Teuta po shikon edhe në tregun boshnjak për sulmues.