Kjo verë pritet që të jetë e “nxehtë” për Sherif Kallakun. Pas interesimit të turqve të Trabzonporit, një tjetër ekip vihet në gjurmët e mesfushorit të talentuar nga Fushë-Kruja.
Këtë herë bëhet fjalë për Slovan Bratislavën. Nuk mund të flitet për ofertë, pasi fillimisht janë krijuar vetëm lidhjet e para dhe sllovakët po e vëzhgojnë. E megjithatë, vetëm kur të vijë kërkesë zyrtare në klub mund të ketë zhvillime më konkrete. Sikundër e pati thënë vetë 21-vjeçari, ai është nën kontratë me Teutën dhe vendimi u takon drejtuesve.
HUAZIMET – Teuta po mendon rikthimin e të huazuarve. Pasi ka vëzhguar me vëmendje paraqitjen e lojtarëve që kanë luajtur në ekipe të tjera, po shohin mundësinë e afrimit të tyre në Durrës. I pari që ka kaluar “klasën” është Dajan Shehi, i cili ka bërë paraqitje tejet të mirë te Kastrioti dhe i dyti Xhonatan Lajthia që luajti për Erzenin në Kategorinë e Parë. Lojtari 20- vjeçar mori 1559 minuta me shijakasit dhe ka shënuar 4 gola, duke u tërhequr kësisoj vëmendjen drejtuesve.
AFRIMET – Teuta do të nisë përgatitjet për Europën më 10 qershor, e megjithatë këto ditë priten të jenë vendimtare për merkaton. Edhe pse shtylla e ekipit do të ruhet, përforcimet janë të domosdoshme. Drejtuesit kanë filluar të mendojnë që tani për projektin e sezonit të ri dhe fuqizimin e grupit.
Hapi i parë që do të ndërmarrin është blindimi i disa lojtarëve.Shumicës i skadon kontrata, ndaj do fillojnë që të mendojnë për rinovimet. Me të mbyllur këtë histori, do të kthejnë vështrimin tek afrimet. Plani është i qartë, do të vijnë 4-5 elementë që të bëjnë diferencën. Trajneri Bledi Shkëmbi kërkon që ta vazhdojë projektin me Teutën dhe është i bindur te suksesi.
Deri atëherë pritet që të ketë edhe bisedime, por lojtarët që do të përfaqësojnë durrsakët me shumë gjasa në Europë do të jenë ata që luajtën edhe në kampionat, me përjashtim të ndonjë futbollisti që nuk do të jetë në planet e trajnerit Shkëmbi. Në Durrës synojnë që të lënë gjurmë në Kupat e Europës.
E natyrisht, për këtë qëllim kanë menduar që të bëjnë disa përforcime, madje drejtuesit dhe stafi kanë nisur që të mendojnë prej kohësh dhe lojtarët që do t’i nevojiten për Europën, por edhe për sezonin e ardhshëm në Superiore. Te Teuta tashmë kanë nisur që të punojnë me llogari.





