Mesfushori i Teutës, Sherif Kallaku, beson se kampionati do të mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme. Fantazisti që ka luajtur sezonin e kaluar me Laçin, është optimist në prag të përballjes së nesërme me kurbinasit. Fillimisht Kallaku foli për veten, teksa prej muajsh është jo vetëm pjesë e rëndësishme e Teutës, por edhe Kombëtares U-21.

“Personalisht ndihem mirë që kam shënuar gola të rëndësishëm për Teutën. Jam i lumtur që këta gola kanë shërbyer për t’i dhënë pikë Teutës dhe jo vetëm për statistikë. Në çdo ndeshje futem në fushë për të dhënë maksimumin. Teuta është e ndërtuar me këta lojtarë dhe pikët apo pozicioni në renditje tregojnë vlerat e vërteta të kësaj skuadre. Grupi i lojtarëve ka potencial dhe dëshirë për të fituar. Shpresojmë të vazhdojmë kështu dhe të punojmë siç kemi bërë këto javë. Në kampionat duhet përqendrim dhe lojë me ritëm deri në minutën e fundit. Çdo javë që kalon e bën kampionatin më të vështirë dhe mendimi im është se ky sezon ka qenë shumë i fortë, me ndeshje të vështira dhe me skuadra që kanë kualitete. Besoj se kjo Teutë nuk do të ndryshojë, sepse kemi një grup shumë të mirë lojtarësh”, ka thënë fillimisht Kallaku, për të folur më pas për sfidën me ish-ekipin.

“Ndeshjen e fundit e kemi ndaj një ekipi si Laçi dhe do të përpiqemi të marrim tri pikë për të siguruar Europën. Nuk e shikojmë renditjen, pasi nuk i zëmë besë klasifikimit. Ekipi kurbinas ka lojtarë që mund të nxjerrin golin nga hiçi, kështu që duhet përqendrim maksimal për të shmangur surpriza të pakëndshme. Fakti që luajmë në Durrës është një plus më shumë për të bërë detyrën tonë. Pra, të futemi në fushë për të fituar. Duhet vetëm të tregojmë vlerat tona më të mira”, është shprehur titullari i Teutës.

Teuta po vazhdon punën me ritme të larta në drejtim të përgatitjes para duelit final të këtij edicioni. Durrsakëve nuk u mungon besimi se në ndeshjen e fundit do të bëjnë autokritikë dhe do të arrijnë një rezultat pozitiv, në mënyrë që të presin biletën për në Kupat e Europës.

Nën drejtimin e Bledi Shkëmbit, skuadra është më e plotë se kurrë në prag të sfidës së fundit. Mesfushori Lancinet Sidibe rikthehet i gatshëm, ndërsa është riaftësuar plotësisht edhe sulmuesi Tomislav Bushiç. Shkëmbi pritet të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm, me qëllim kualifikimin për në Kupat e Europës. Edhe një pikë do të mjaftonte që durrsakët të ishin në zonën “Euro”.