Gjykata e Tiranës do të shqyrtojë sot kërkesën e Prokurorisë për pushimin e çështjes ndaj Kastriot Gjuzit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e Mario Majollarit.

Më herët, Akuza e kryeqytetit, pas më shumë se 1 viti hetime, konkludoi se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e tij dhe kërkoi pushimin e çështjes. Në këto kushte, hetimet për zbardhjen e një prej vrasjeve më të diskutuara në kryeqytet shkon në pikën zero dhe nuk ka asnjë të dyshuar.

Kujtojmë se Policia e Shtetit do të njoftonte vetëm 24 orë nga vrasja, se e kishte zbardhur dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar, i cili u arrestua më vonë në Kosovë. Ndërkohë, Gjuzi nuk e pranoi asnjëherë fajësinë, duke thënë se nuk e ka varë ai Majollarin, por në atë kohë prokurori pretendonte se kishte prova të mjaftueshme për të ngritur dyshimin e arsyetuar, se ai ishte autori i vrasjes.

Këto pretendime të Akuzës u mbështetën edhe nga Gjykata që caktoi ndaj Gjuzit masën e sigurisë “Arrest në burg” pa afat. Kastriot Gjuzi dyshohej se e ekzekutoi 28-vjeçarin Majollari për motive gjakmarrjeje, pasi babai i Mario Majollarit i kishte vrarë vëllain, Ilir Gjuzi në vitin 2000. I riu u ekzekutua me katër plumba mbrëmjen e 10 prillit të 2018-ës, në rrugicën e shtëpisë së tij, vetëm disa ditë pasi ishte kthyer nga Suedia, ku kishte kërkuar azil. Të nesërmen pas ngjarjes, Policia e Tiranës tha se kishte zbardhur atentatin në Kinostudio, ku mbeti i vrarë me 4 plumba 28- vjeçari Mario Majollari.

Në njoftimin zyrtar të Policisë thuhej se ishte identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, 41-vjeçari Kastriot Gjuzi, i njohur me emrin Petrit Gjuzi, banues në zonën e Tufinës. Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë se ekzekutimi i Mario Majollarit ishte kryer për motive gjakmarrjeje. Ndërsa 9 ditë pas krimit, i dyshuari u arrestua në Kosovë dhe u kthye në Shqipëri ku u njoh me masën e sigurisë “Arrest me burg”, në zbatim të së cilës ndodhet në paraburgim edhe sot. /PANORAMA