“Protesta e nesërme nuk është për të shtyrë zgjedhjet e 30 qershorit, por për të kërkuar të të drejtën e çdo shqiptari për të mos pasur frikë nga e ardhmja”.
Kështu shprehet ndër të tjera kreu i PAA-së, Agron Duka, në një status në Facebook, kushtuar protestës së 25 majit.
Në apelin e tij për pjesëmarrje në protestën kombëtare të opozitës së bashkuar, Duka thekson: “Ju bëj thirrje që nesër, bashkë me familjet tuaja, të ushtroni të drejtën që kaq gjatë ju është mohuar. Të jepni, me praninë tuaj, një ‘votë’ simbolike për ndryshimin e këtij sistemi, për rrëzimin e tranzicionit dhe këtij sistemi hibrid, që ka prodhuar një demokraci të rreme, e cila është po aq e rrezikshme sa diktatura që kemi lënë pas”.
Statusi i plotë i Dukës:
Protesta e nesërme nuk është për të shtyrë zgjedhjet e 30 qershorit, pasi 30 qershori ka rënë në momentin që mazhoranca provoi, nëpërmjet shkeljeve ligjore në KQZ, se nuk ka hequr dorë nga krimi elektoral. Protesta e nesërme është për të kërkuar, edhe njëherë edhe më fortë, të drejtën e çdo shqiptari për të mos pasur frikë nga e ardhmja.
Për të dëshmuar, me praninë tonë, vullnetin për të ringritur institucionet e rëna pre e babëzisë për pushtet. Për të ndarë, në respekt të Kushtetutës, pushtetet e mbledhura në një dorë të vetme. Për të ndërtuar një sistem të ri politik, në lartësinë e ambicieve të qytetarëve për të qenë të përfaqësuar denjësisht, nëpërmjet votës të lirë nga zgjedha e krimit dhe e politikës të lidhur me të.
Për këtë arsye ju bëj thirrje që nesër, bashkë me familjet tuaja, të ushtroni të drejtën që kaq gjatë ju është mohuar. Të jepni, me praninë tuaj, një ‘votë’ simbolike për ndryshimin e këtij sistemi, për rrëzimin e tranzicionit dhe këtij sistemi hibrid, që ka prodhuar një demokraci të rreme, e cila është po aq e rrezikshme sa diktatura që kemi lënë pas.





