Deputeti socialist, Spartak Braho ka shpërthyer në Kuvend ndaj Kreut të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa, të cilit i kërkoi të lërë detyrën.

Braho e akuzoi Tufën se e ka kthyer institucionin në celulë të Ballit Kombëtar.

"Deri më sot asnjë nuk e dinte që ekzistonte ky Institut, i miratuar nga maxhoranca e Sali Berishës në 2010. Po meqë është mirë bëhet dhe jam plotësisht dakord të ekzistojë. Kjo situatë e këtij debati u krijua gjatë disa ditëve më parë gjatë shqyrtimit të një rezolute në komisionin e ligjeve. Ky institut drejtohet nga një letrar që ka mbaruar për letërsi në ish-Bashkimin Sovjetik. Dua t’i them këto fjalë pasi më erdhi në mend një debat që më ka ngacmuar tërë kohën që ky studiues hidhte baltë dhe kërkonte heqjen nga qarkullimi të filmave dhe letërsisë para viteve '90. Me pak fjalë duhej zeroruar çdo gjë dhe Kadareja, Agolli, Korreshi veçanërisht ato që përshkruanin ngjarje të luftës antifashiste. Një tezë absurde që u prit keq dhe nga opinioni. Por me sa duket kjo veprimtari baltosëse kishte shkuar dhe më tej pasi në disa botime të këtij instituti në njërën prej këtyre botimeve hidhej baltë mbi LANÇ dhe konsideroheshin kriminelë 240 drejtues të luftës. Një botim qesharak ishte për këngët e Ballit Kombëtar. Dy fjalë për këtë institucion dhe drejtuesit e tij. Në veprimtarinë e tij instucioni ka shkelur rëndë ligjin në mënyrën si organizohet. Do perifrazoj kryeministrin që tha larg duart nga vitet 41-45, sepse neofashistët e tipit Tufa e Çela kërkonin nëpërmjet artificave të glorifikonin bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit. E mbyll me një opinion të një historiani anglez, se Shqipëria për nga numri zinte vendin e katër në Europë për kontributin në luftën nazi-fashiste. E keni kthyer institucion në celulë të Ballit Kombëtar. Hileqarë keni qenë në luftë dhe hileqarë dhe tani në demokraci. Ju s’keni certifikatë sigurie. I kërkoj kreut të këtij institucioni të lërë detyrën si i papërshtashëm", tha Braho.