Teuta ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës me Kastriotin që do të zhvillohet në transfertë. Kjo sfidë vlen shumë për durrsakët, aq më tepër që luajnë me një ekip që lufton për mbijetesë dhe nuk e ka siguruar ende qëndrimin mes më të mirave.

Para fillimit të seancës, trajneri Bledi Shkëmbi ka zhvilluar një analizë me ekipin, ku i ka përgëzuar për suksesin ndaj të kuqve, por ka folur edhe për objektivin Europë, i cili varet edhe nga ndeshja me Kastriotin.

"Si fillim, urime për fitoren ndaj Partizanit, por tani ajo ndeshje duhet lenë pas dhe duhet të mendojmë për një tjetër duel mjaft të vështirë. Kastrioti luan ndeshjen e jetës ndaj nesh, ndaj duhet të jemi të mobilizuar në maksimum dhe të shkojmë në Fushë-Krujë për të zhvilluar ndeshjen tonë. Kërkoj nga të gjithë ju seriozitet maksimal në të gjitha seancat stërvitore. Për ne është një ndeshje e rëndësishme. Objektivin Europë s’e kemi arritur ende, ndaj duhet të japim më shumë se 100% në fushë që ta kalojmë dhe ketë sfidë të vështirë së bashku dhe më pas të jemi të qetë për objektivin që kemi pasur që në startin e sezonit".

Kështu u ka thënë mes të tjerash trajneri Shkëmbi lojtarëve para fillimit të punës për Kastriotin. Fitorja me Partizanin erdhi në momentin e duhur për durrsakët, të cilët tashmë kanë hedhur sytë për të ruajtur vendin e 3-të dhe pse jo edhe vendin e dytë, gjë që varet shumë nga përfundimet e javës së 35-të.

Seanca e djeshme nuk ka pasur ngarkesë maksimale, por me skuadrën është bashkuar edhe Traore, i cili ka zhvilluar programin e plotë stërvitor. Teuta luan një sfidë delikate në fundjavë, pasi do të udhëtojë drejt Fushë-Krujës.

Durrsakët kanë shanset maksimale që të kapin Europën nëpërmjet kampionatit, por trajneri Blendi Shkëmbi, javët e fundit krahas lojës jo në nivelin e duhur nga skuadra, ka pasur edhe probleme mungesash.

Titullarë të pezulluar nga kartonët, si dhe lojtarë të dëmtuar. Osmani dhe Bici janë konsideruar si pika të forta të skuadrës durrsake këtë sezon, por në ditët e fundit me ata është duke u marrë stafi mjekësor i skuadrës së Teutës, pasi lojtarët kanë probleme fizike. Ndaj Kastriotit mungon Sidibe që mori karton të kuq dhe është i pezulluar.

Bici dhe Osmani, të cilët munguan ndaj Partizanit për probleme dëmtimi, kanë nisur të vrapojnë me grupin, megjithatë do të jenë në dyshim, nëse do ta nisin nga minuta e parë apo jo ndaj Kastriotit. Pjesa tjetër kanë qenë nën urdhrat e Shkëmbit dhe stafit të tij.