Shkrihet Drejtoria Arsimore Rajonale Durrës. Me një urdhër të Administratës Publike është kërkuar shkarkimi nga puna për 15 punonjës të DAR Durrës.

"DurrësLajm" ka kontaktuar me punonjës të kësaj drejtorie të cilët thanë se në DAR ka mbërritur një urdhër ku kërkohet largimi dhe dorëzimi i punës nga të gjithë punonjësit. Ata thanë se në organik janë 20 veta por të punësuar realisht janë 14 prej tyre ndërsa urdhri për shkarkim ka ardhur për 15 persona.

Punonjësit e kësaj drejtorie përfshirë edhe drejtoreshën Lindita Muka, të gjithë kanë fituar statusin e punonjësit civil dhe sipas tyre, shkarkimi dhe largimi nga detyra është tërësisht i padrejtë.

"Për më tepër", thanë ata, "ky urdhër ka ardhur nga Administrata Publike, ndërsa ngrenë pyetjen se kush është institucioni që iu kërkon largimin nga puna ndërkohë që është po i njëjti institucion i cili iu ka dhënë statusin e punonjësit civil".

"Është ndryshe nëse do ishte Ministria e Arsimit që do kërkonte shkarkimin tonë nga puna për një apo tjetër arsye. Si mund të shkrihet Drejtoria Arsimore kur këtu vijnë të gjithë qytetarët, nxënësit, studentët të marrin shërbime", thanë ata për "DurrësLajm".