Më 11 maj, kryeministri Edi Rama zyrtarizoi kandidatët për kryebashkiakë në 61 bashkitë e vendit. Në qytetin e Shijakut zgjodhi të kandidonte kreun e degës lokale, Elton Arbanën dhe jo të rikandidonte kryetarin aktual, Ardian Kokomanin.

Pas zyrtarimit, Arbana deklaroi ekskluzivisht për "DurrësLajm", se misioni i tij ishte të përfaqësonte në mënyrë dinjitoze të gjithë ata që besuan tek ai. Madje kandidati 35-vjeçar u shpreh se puna me përkushtim dhe vëmendja te njerëzit do të jenë prioritet i tij në këtë sfidë të re që po ndërmerr.

Por kush është Elton Arbana? "DurrësLajm" sjell për lexuesit CV-në e kandidatit për kryetar bashkie në Shijak:

Elton Arbana ka lindur 25.12.1984 në Shijak, është i martuar dhe baba i 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe një djalë.

Arbana është i shkolluar në Turqi, ku ka përfunduar arsimin e mesëm në periudhën 1999-2003 me rezultate të shkëlqyera.

Në vitet 2006-2010 është diplomuar në fakultetin Juridik, pranë Universitetit privat ‘Justiniani I’ . Flet shumë mirë 3 gjuhë të huaja, Anglisht, Turqisht dhe Italisht. 

Pas formimit të tij fillimisht është angazhuar pranë biznesit të tij privat, në fushën e tregtisë së automjeteve, ndërsa më pas, ka nisur dhe angazhimin e tij në politikë, fillimisht si anëtar i FRESSH dhe më pas në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste.

Që prej vitit 2016 është Kryetar i PS për degën lokale, Shijak. Nga 2013-2017 ka punuar si Përgjegjës Sektori i IKMT, Qarku Durrës.

Aktualisht Elton Arbana është kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë Shijak në zgjedhjet e 30 qershorit 2019.