Mbledhja e kryesisë së PS-së, paraditen e sotme, zyrtarizoi kandidaturën e Valbona Sakos për bashkinë e Durrësit.
Qyteti bregdetar, i drejtuar prej 12 vitesh nga kryebashkiaku aktual Vangjush Dako, mund të drejtohet për herë të parë nga një kandidate femër.
Po kush është Valbona Sako, ekonomistja që aspiron të bëhet kryebashkiake?
Sako ka përfunduar studimet e larta për Financë, në fakultetin Ekonomik, Tiranë, në vitin 1993.
Pas përfundimit të studimeve, ajo është punësuar në administratën shtetërore, ndërkohë që prej 20 vitesh është pjesë e administratës fiskale të qytetit të Durrësit.
Që nga 2 nëntori i 2013-ës, ajo është drejtoreshë e Tatimeve Durrës.
Ajo është mjaft e njohur në rrethin e biznesit në Durrës, ndërkohë që nuk ka një profil të lartë politik, krahasuar me disa nga figurat e tjera të PS-së së Durrësit, emri i të cilëve u lakua në media për kryebashkiak të qytetit bregdetar.
Valbona Sako është e martuar dhe ka dy vajza. Kujtojmë se Sako është kunata e Hygerta Sakos, vajzës së parë nga Durrësi, që u shpall Miss Albania në vitin 1995.
M.B.





