Pritjes gati dy mujore të socialistëve, por edhe qytetarëve të Durrësit po i vjen fundi.

Në orët në vijim, pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, pritet të zbardhet emri i kandidatit/es që PS do të zgjedhë për të garuar për kryebashkiak të qytetit bregdetar për 4 vitet e ardhshme.

Mbledhja e kryesisë së PS-së, pasditen e së premtes, nuk arriti të nxirrte një kandidaturë zyrtare për Durrësin.

Kryebashkiaku Vangjush Dako tha për DurrësLajm se duhet pritur dita e shtunë që të mësohet emri i pasardhësit të tij.

Socialistët e Durrësit dëshironin një mandat të katërt për Dakon, por pas tërheqjes së tij ata shpresojnë për një kandidat/e që të përmbushë pritshmëritë e tyre për atë që duan të shohin për 4 vitet e ardhshme si qytetarin e parë të tyre.

Me mospërfshirjen e opozitës në garën elektorale për zgjedhjet vendore, kandidati/ja e PS-së pritet të shkojë drejt fitores së sigurt, duke e lënë Durrësin sërish nën drejtimin e PS-së. Që nga zgjedhja e kirurgut Miri Hoti kryebashkiak, e majta e drejton Durrësin prej 5 mandatesh dhe synon të 6-in rradhazi.