I pranishëm në mbledhjen e pasdites së sotme të kryesisë së PS-së, kryebashkiaku Vangjush Dako ka bërë të ditur për DurrësLajm se ende nuk ka një emër të konfirmuar zyrtarisht si kandidat për bashkinë.

“Nesër në mëngjes, në orën 09.00, do të nisë mbledhja e rradhës së kryesisë nga e cila do të dalë edhe emri i kandidatit për bashkinë e Durrësit”,– tha Dako për DurrësLajm.

Bashkia e Durrësit drejtohet prej 12 vitesh nga Vangjush Dako, i cili deklaroi një muaj më parë se nuk do të rikandidonte për një mandat të katërt.

Ndërkohë emri që ka qarkulluar në medie orët e fundit ka qenë ai i drejtoreshës së Tatimeve, Valbona Sako, që duket se do të jetë kandidatura zyrtare e socialistëve. Mister mbetet edhe emri i kandidatit për bashkinë e Shijakut dhe Krujës, duke e bërë qarkun e Durrësit më misteriozin përsa i përket kandidaturave zyrtare të PS-së.

Pritet që dita e nesërme të heqë gjithë dilemat e socialistëve durrsakë, të cilët prej rreth dy muajsh hamendësojnë mes emrave të ndryshëm që diskutohen në forumet e partisë dhe hidhen për konsum në media.