Mbi 300 familje që banojnë në zonën ku ndahet unaza e Plazhit me fshatin Arapaj, pjesë administrative e lagjes nr. 13 të Durrësit, kanë 30 vjet që nuk kanë njohur asnjë investim. Infrastruktura rrugore, ajo nëntokësore dhe mbitokësore është problemi më i madh që po shqetëson gjithnjë e më shumë komunitetin aty.

Banorët thonë se mungesa e kanalizimeve është një prej problemeve më të mprehta, sepse ndotja që shkaktohet është jo vetëm rrezik për përhapje epidemish, por një shkak parësor që banorët të largohen nga shtëpitë e tyre. Vështirësia është e madhe, pasi ujërat e zeza që kanë shpërthyer nëpër lagje kanë mbushur me ujë gropat e rrugës duke i bërë të pakalueshme për banorët e zonës, kryesisht fëmijët e vegjël.

Banorët thonë se sa herë ka zgjedhje u premtohen investime për ofrimin e zgjidhjeve për problematikat e tyre, por pasi mbaron fushata asnjë pushtetar nuk shkon më për t’i parë nga afër vështirësitë me të cilat ata përballen çdo ditë.

Banorët thonë se i paguajnë të gjitha detyrimet pavarësisht se nuk marrin as shërbimin minimal nga pushteti lokal. Paguajnë për ujin e pijshëm e kanalizimet, për pastrimin e gjelbërimin, por nga taksat që paguajnë nuk u është kthyer në investim asnjë gjë deri tani. Të zhgënjyer banorët nuk dinë ku të përplasen dhe të qajnë hallin për problemet e tyre.

K.H.