Një tjetër kandidat nga listat shumëemërore të Partisë Demokratike, është paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të dorëzuar formularin e dekriminalizimit, në kërkim të marrjes së mandatit të deputetit.
Bëhet fjalë për Selami Jenishehrin, kryetarin e Partisë së Bashkimit Popullor të Pensionistëve, i cili në zgjedhjet e fundit qendrore të vitit 2017, garonte i renditur i 46-ti në listën e PD-së për Qarkun e Tiranës.
Në jetëshkrimin e tij, kandidati Jenishehri rezulton të ketë kryer studimet e larta në shkencat ekzakte dhe të ketë ushtruar për një kohë të gjatë profesionin e mësuesit të matematikës dhe të fizikës.
Pjesë e Kuvendit janë bërë edhe dy kryetarët e Partive të Ballit, Artur Roshi dhe Adriatik Alimadhi, kreu i Partisë Konservatore, Kujtim Gjuzi, kryetari i Partisë Demokracia e re Europiane, Koçi Tahiri, drejtuesi i Partisë Ora e Shqipërisë, Zef Shtjefni, si edhe Nikolin Staka, lideri i Lëvizjes Demokratike për Ndryshim.





