E mbani mend Bledar Mancakun, sulmuesin këmbëshpejtë të Teutës që tundte rrjetat kundërshtare nga çdo lloj pozicioni? Aktualisht ka hequr dorë nga futbolli i luajtur, por është përqëndruar te trajningu dhe aty ku ka “shtëpinë” e tij, në Durrës.

Mancaku ka nisur punën si trajner me fëmijët në akademinë e klubit “Teuta”. Bledar Mancaku analizon ecurinë e skuadrës durrsake, por edhe situatën e Superiores.

Mancaku, pas futbollit të luajtur, tashmë po i përkushtoheni si trajner. Si është të luash dhe të mësosh fëmijët të bëhen futbollistë?

Normalisht, është një ëndërr sepse ne kemi qenë vetë fëmijë, emocionet janë të papërshkueshme, por vjen një moment që i thua “stop” sepse edhe mosha bën të vetën. Tashmë punoj në kushte shumë të mira në Akademinë e Futbollit Teuta, ku stërvit fëmijë të vegjël. Normalisht, është pasion futbolli dhe të krijojnë një sadisfaksion edhe këta fëmijë që kanë ëndërr të bëhen futbollistë.

Në karrierën tuaj keni luajtur me ekipe si Teuta e Besa në nivele të larta, si do ta përkufizoni?

Jam i kënaqur sepse kam luajtur me Teutën dhe Besën që kanë fituar trofe. Një eksperiencë e kam pasur edhe me Shkumbinin e Peqinit, pa thënë pastaj se në atë periudhë kam pasur oferta vazhdimisht nga ekipet që donin titullin. Kam luajtur me Shpresat, por edhe Kombëtaret. Normalisht, e mira s’ka fund, por jam i kënaqur me veten, sidomos kur mendoj që ka qenë një nivel shumë i lartë futbolli dhe sidomos në sulm.

Meqë përmendët sulmin, Shqipëria aktualisht po vuan për sulmues. Pse ndodh kjo?

Është e vërtetë. Që nga periudha kur unë kam luajtur me Daniel Xhafajn e mbrapa, po shoh një mungesë të theksuar të shënuesve. Ka raste sporadike, ndërsa më parë kishin nga 2-3 sulmues goli të gjitha ekipet. Ndoshta ngaqë nuk punohet shumë. Shoh sulmues që dalin në krye të listës edhe këtë sezon duke shënuar nga penalltitë. Më pëlqen sulmuesi i Teutës, Latif, por edhe ai ka shënuar gola edhe me penallti. Flamurtari ka Sukajn, por ende nuk po bën diferencën. Skënderbeu ka sulmuesin nigerian që ka realizuar pak gola, por është edhe Bregu që shënon, edhe pse nuk është “pykë” e mirëfilltë. Kjo do të zgjidhet pas 5-6 sezoneve, sepse ekipet po implementojnë akademitë dhe është bërë modë. Unë shoh edhe në Durrës që tek ekipi U-19 ka 2 sulmues shumë të mirë.

Pas 32 javësh të luajtura, si ju duket Teuta?

Me plot gojën mund ta them që po bën një kampionat të mirë, pavarësisht rezultateve në javët e fundit. I kam ndjekur në çdo ndeshje dhe mendoj që janë në rrugën e duhur. Luhatjet e fillimsezonit janë harruar dhe tashmë po tregojnë vazhdimësi. Të nisësh sezonin me një grup të ri, të rindërtuar nga themelet, nuk është e lehtë. Kërkon kohë dhe kjo dihet, pasi lojtarët duhet të njohin njëri-tjetrin dhe të përshtaten mirë në fushë. Por, shoh që është përmirësuar ndjeshëm dhe ky është faktori kyç në arritjen e rezultateve.

Si e gjykoni punën e bërë nga stafi teknik me në krye Shkëmbin?

Teuta ka arritur të ndërtojë një staf që e njeh në imtësi futbollin shqiptar. Ka në përbërje njerëz që punojnë me shumë dëshirë dhe mbi të gjitha pasion, por kanë edhe një “bonus” të madh: kanë shumë eksperiencë. Shkëmbin e kam parë që në ditët e para kur mori drejtimin e ekipit tejet kërkues dhe në pak kohë ka arritur të krijojë një grup që i bindet. Pa dyshim, edhe përvoja që ka i vjen në ndihmë.

Është kjo skuadër më e fortë se në kohët kur Mancaku luante futboll?

Me kalimin e viteve çdo gjë ndryshon dhe çdo gjë vjen duke u perfeksionuar. Ne ishim një skuadër që kishim thuajse shtatë vite që luanim bashkë me njëri-tjetrin dhe kishim një harmoni në fushën e lojës, ndaj edhe përshtatja ishte më e thjeshtë. Skuadra ka një grup të ri, por ka arritur të gjejë gjuhën e duhur për t’u përshtatur dhe po dhuron një lojë të kënaqshme.

Cila është pika më e fortë e këtij grupi?

Pika më e fortë është pikërisht grupi. Në skuadër ka lojtarë, të cilët kanë shumë vite eksperiencë, gjë që ndihmon shumë edhe të rinjtë.

Në fundjavë luhet Skënderbeu-Teuta, çfarë parashikoni?

Është një ndeshje shumë e bukur nga vetë historia e dy skuadrave apo emocioneve që ka përcjellë kjo ndeshje ndër vite. Unë do ta cilësoja si një “klasike” të futbollit shqiptar. Mendoj se i ka të gjithë përbërësit që të dhurojë spektakël dhe Teuta t’ia dalë me një fitore, sepse janë pikërisht këto ndeshje, ato të cilat të japin kreditet e duhura për të realizuar objektivat.