Teuta ka vijuar nga puna për ndeshjen e radhës dhe kjo është java anti Skënderbeu. Vështirësia është e madhe, e sidomos kur dihet që përballë kanë një kundërshtar që garon për një vend në Europë.
Megjithatë, të besuarit e Bledi Shkëmbit besojnë se do t’ia dalin dhe skuadra po punon intensivisht. Në takimin e së dielës, ekipi nuk do të jetë i plotë, duke i mos dhënë mundësinë trajnerit Shkëmbi të përzgjedhë formacionin më të mirë. Drejtuesit nuk mund të tolerojnë një tjetër hap fals, kështu që tri pikët janë objektivi i vetëm.
Para se të niste stërvitja trajneri Bledi Shkëmbi dhe stafi i tij kanë zhvilluar një analizë të shkurtër me të gjithë lojtarët. Tekniku është munduar që të mobilizojë grupin dhe në mënyrë të hapur ka kërkuar reflektim për ndeshjet e radhës. Misioni mbetet i qartë, blindimi i zonës “Euro”.Dhe kur kampionati ka hyrë në një fazë delikate, tashmë gabimet janë thuajse të ndaluara. Rivalët janë shumë pranë dhe të gjithë presin një hap fals të durrsakëve për të rrëmbyer vendin e tretë. Dhe këtë, “djemtë e detit” e kanë më shumë se qartë. “Fati është pjesë e lojës. Nuk e kishim me Luftëtarin, por mund ta kemi tani. Duam apo s’duam ne, do ta pranojmë dhe këtë pjesë. Gjithsesi, tashmë le të përqendrohemi te takimi i radhës. Ndaj Skënderbeut duhet të kthehemi me patjetër te fitorja.
Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm për skuadrën. Gjatë gjithë kohës e kam përsëritur se për ne e rëndësishme është të mbledhim pikët për të kapur biletën për në Europë dhe më pas të mendojmë për gjëra të tjera. Gara është e hapur akoma, ndaj duhet të mobilizohemi në çdo ndeshje që të arrijmë objektivin”, ka deklaruar Shkëmbi para ekipit.
Pas këtij fjalimi motivues, stafi teknik ka shpjeguar edhe programin e ditës. Përgatitjet kanë nisur me ritëm, por ajo që ra në sy ishte që repartet punuan të veçuara. Mesfusha është sektori që po merr vëmendjen më të madhe. Të paktën kjo u kuptua edhe dje, ndërsa trajneri kërkonte më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione nga lojtarët anësorë, duke filluar nga Progni, Vecaj apo Kallaku. Trajneri Shkëmbi pret me ngulm që skuadra të gjejë rezultatet e munguara, por pse jo të rikthehet edhe te loja e bukur që dhuroi në dy fazat e para.
Stafi teknik po e përgatit me kujdes takimin, me shpresën që kthesa e madhe të mos vonojë. Durrsakët as këtë javë nuk do të jenë me grup të plotë, sepse mesfushori Avdyli është pezulluar pasi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Por, rikthehet për ndeshjen ndaj Skënderbeut mbrojtësi Ditmar Bici, që nuk ishte në dispozicion të skuadrës në ndeshjen me Luftëtarin.





