Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind për të gjitha importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina mund të pasohet edhe me masa shtesë ndaj Serbisë, paralajmërojnë autoritetet në Prishtinë.
Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur se cilat do të jenë ato masa, por si të tilla do të pasonin vendimin e 21 nëntorit, për vendosjen e taksës 100 për qind.
Të shtunën, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka paralajmëruar se ka marrë vendim që të shpallen persona të padëshiruar apo non-grata, të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata në mohim të krimeve të luftës në Kosovë.
Ndërkohë që ditëve të fundit, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë paralajmëruar se Kosova mund të ashpërsojë masat deri në reciprocitet të plotë, varësisht sjelljeve të shtetit të Serbisë ndaj Kosovës.
Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj tha për Radion Evropa e Lirë, se ende nuk ka ndonjë masë konkrete që mund të vendoset, por që disa masa reciprociteti ndaj Serbisë, sipas tij,janë duke u shqyrtuar nga Qeveria.
“Nuk ka diçka konkrete deri më tani, por masa e reciprocitetit si vendosja e ndalimit të hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë në Kosova, si dhe mosnjohja e patentë-shoferëve dhe masa të tjera, janë duke u shqyrtuar të vendosen nëse paraqitet nevoja”, thekson Shatri. /REL