Banorët e lagjes 13 në Durrës, kryesisht të zonës së Arapajt, dolën në protestë për të kërkuar zhbllokimim e rrugës në magjistralin Shkozet-Plepa.
Pak muaj më parë, semafori që shërbente që banorët të kalonin nga njëri krah i rrugës në tjetrin u prish dhe për të evituar aksidentet, Drejtoria e Rrugëve vendosi disa blloqe betoni duke e bllokuar kalimin e banorëve që i ndan rruga.
Në këto kushte, banorët por edhe drejtuesit e automjeteve duhet të udhëtojnë rreth një kilometër për të kaluar në krahun tjetër të rrugës.
Por teksa drejtuesit e automjeteve të detyruar ashtu veprojnë, këmbësorët rrezikojnë jetën duke kaluar me shpejtësi rrugën. Në këtë segment rrugor makinat lëvizin me shpejtësi dhe kjo e bën edhe më të rrezikshëm kalimin e këmbësorëve nga njëri krah në tjetrin.
Banorët thonë se vendosja e blloqeve i ka bllokuar dhe ndihen të izoluar nga pjesa tjetër e qytetit. Sipas tyre, gjatë viteve të fundit në këtë segment janë rregjistruar me dhjetra aksidente me pasoja të lehta dhe të rënda. Për shkak të aksidenteve të shumta, banorët e kanë pagëzuar këtë rrugë si "Rruga e Vdekjes".
Protestuesit kërkojnë të rregullohet semafori dhe të largohen blloqet e betonit, ose të ndërtohet një mbikalim. Banorët kërcënojnë me përshkallëzim protestash nëse propozimet e tyre nuk merren parasysh nga Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës.
K.H.





