Bota e futbollit është magjepsur nga Lionel Mesi. Nga Zhoze Murinjo që është një nga “armiqtë” e tij të betuar te Fabregas dhe Pyjol.
Të gjithë shprehën në rrjetet sociale emocionet e tyre për gjeniun argjentinas, i cili me dopietën e shënuar ndaj Liverpulit udhëhoqi Barcelonën drejt një kualifikimi të mundshëm në finalen e Ligës së Kampionëve.
FERDINAND– “Leo Mesi është një lojtar fenomenal. Ai ka gjithçka. Është një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave, për të mos thënë më i miri. Jam i lumtur që jam këtu, ndihem i bekuar. Kjo është historia që mund t’u tregoj fëmijëve. Ai e vendos një ndeshje kur do ai”.
MURINJO- “Mesi është… Mesi. Nëse Barcelona nuk do të kishte Mesin, atëherë unë do të kisha zgjedhur Liverpulin si favoritin e këtij dueli, por me Mesin… Mesi është… Mesi nuk është lojtar i thjeshtë, por bën gjëra magjike, ai është special. Bën gjithnjë gjëra që të tjerët nuk i bëjnë. I shënoi dy gola Mançester Junajtid dhe sa vjen dhe thellon gjithnjë e më shumë rekordet e tij. Nuk rresht kurrë së na mrekulluari”.
KARLES PYJOL– “O Zot i madh. Lionel Mesi”.
FABREGAS- “Është e pamundur që dikush të më thotë se ka parë një lojtar më të mirë sesa ai”.
GERI LINEKER– “Uou, vetëm uou. Mesi shënoi golin e 600-të me Barcelonën me goditjen më të mirë të dënimit që mund të keni parë ndonjëherë. Gjeniu sfidon logjikën”.
DARREN FLEÇER- “Ishte një ndeshje shumë e çuditshme. Liverpuli dominoi pjesën e dytë, por humbi 3- 0. Isha i shqetësuar për ta sepse mund ta pësonin më keq. Por diferencën e bëri Lionel Mesi”.





