Kryeministri Ramush Haradinaj u qëndron sërish deklarimeve të tij se nga presidenti Thaçi dhe kryeministri Edi Rama ka pasur presion për të hequr taksën ndaj Serbisë.
Në një dalje për mediat pas mbledhje së qeverisë së Kosovës, Haradinaj tha se u ka për borxh qytetarëve të vërtetën mbi këtë proces kaq të rëndësishëm.
"Për mua shqiptarët edhe të majtë edhe të djathtë janë vëllezërit e mi, ua kam borxh të vërtetën. Atë që ka thënë At Zef Pllumi "Rrno për me tregu". Do ta tregoj të vërtetën edhe kur i pëlqen edhe kur nuk i pëlqen dikujt. Kam obligim ndaj qytetarëve për një transparencë të asaj që po ndodh. Shyqyr që aty është dikush me tregu të vërtetën."