Nëse shpërndan fletushka reklamuese në rrugë, vetura apo edhe hyrje kolektive të Kosovës, rrezikon gjobë. Një lajm të tillë e ka bërë me dije drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, i cili përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar ndalimin e shpërndarjes së fletushkave reklamuese.
“Që nga sot çdo biznes që hedh fletushka ose flyers në një lokacion në qytet, do të dënohet me 90€”, tha Tahiri, përmes një postimi në Facebook.
Nga ana tjetër, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ditë më parë ka deklaruar se ky vendim është marrë me qëllim e ruajtjes së ambientit.