Gerhard Progni nuk e diskuton zonën “Euro”. Edhe pse durrsakët janë ende në vend të 4-t, mesfushori i linjës së djathtë e thotë me bindje se fundi i këtij sezoni do t’i ngjisë në vendin e 3-të dhe rrjedhimisht do të realizojnë objektivin e vendosur nga klubi. Ai analizoi pikën e marrë ndaj Kukësit dhe u ndal te dueli i së shtunës përballë Luftëtarit.

Si ndikon te Teuta barazimi ndaj Kukësit?

Pas periudhës jo të mirë, ky barazim ishte pozitiv. Ajo që më kënaqi ishte dëshira që tregoi ekipi. Kjo të jep shpresë. Shpresoj të vazhdojmë me rezultatet pozitive.

Sa vlerë kishte kjo pikë për skuadrën tuaj?

Një rezultat më shumë se pozitiv dhe sidomos kur dihet se çfarë problemesh kishim në ndeshjet e fundit. Të dielën bëmë një lojë ndryshe. Për ne është një fat që kundërshtarët tanë kanë lënë pikë. Ky kampionat ka shumë pak diferenca. Pavarësisht se mund të humbësh apo dhe të barazosh, përsëri e shikojmë që jemi aty me pikë.

Në kushtet ku ndodhen ekipet, sa e vështirë do të jetë ndeshja e radhës me Luftëtarin?

Përpos renditjes, ndeshjet me Luftëtarin gjithmonë kanë qenë delikate dhe të vështira. Kjo, për vetë faktin se gjirokastritët kanë një skuadër cilësore dhe me lojtarë që japin maksimumin në të tilla përballje. Për këtë motiv duhet që të jemi më shumë se të përqendruar nga fillimi e deri në fund të lojës. Ndërsa, për sa i përket renditjes, mbetet një tjetër anë që e ndërlikon këtë 90- minutësh.

Kujt i bëjnë më shumë punë pikët, Luftëtarit që diskuton mbijetesën apo Teutës që do zonën “Euro”?

Nuk dua të mendoj për kundërshtarin, pasi asnjëherë nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Ne mendojmë vetëm për veten tonë dhe kjo na ka bërë të ecim përpara. Na nevojitet mjaft ky trepikësh, pasi duam të ngjisim shkallët në renditje. Vendi i katërt në kampionat nuk i shkon për shtat Teutës.

A do të kapni vendin e tretë?

Mendoj se nuk vendoset në diskutim objektivi “Europë”. Jemi një grup i ri lojtarësh, por me dëshirë për të bërë mirë. Të gjithë duam që të tregojmë se sa vlejmë dhe këtë synojmë ta bëjmë në çdo ndeshje dhe mendoj se është e sigurt që në verë Teuta do të luajë në Europë.

Pse mendoni se Teuta do t’ia dalë?

Do të jetë e vështirë, sepse ka shumë rivalitet. Por duke parë grupin dhe potencialin që kemi, besojmë se do ta realizojmë objektivin që na ka vendosur ka klubi. Me pak kujdes dhe me shumë fat, do të jemi aty ku duhet.