Shkencëtarët kanë gjetur gjurmë të drogave në karkalecat dhe peshqit e ujërave të ëmbla, në lumenjtë e fshatrave të Britanisë. Droga të tilla si kokaina dhe ketamina janë zbuluar nga një ekip shkencëtarësh, që kanë bërë kërkime në pesë lumenj, rreth Suffolkut për të parë se çfarë kimikatesh ka në ujë.
Autorët thanë se gjetën kokainë në çdo mostër, ndërkohë që dhe prodhime të tjera farmaceutike u gjetën gjithashtu te karkalecat.
“Shfaqja e drogës te gjallesat e egra ujore ishte e habitshme. Mund të presim t’i shohim këto në zonat urbane si Londra, por jo në zonat më të vogla dhe më rurale. Në të gjitha mostrat që bëmë, gjetëm kokainë dhe drogëra të tjera, si lidocaina”, tha Dr. Leon Barron nga King’s College në Londër.
Lidocaina përdoret ligjërisht si një anestezik lokal në stomatologji, por shpesh përdoret për të “prerë” kokainën, pasi ajo prodhon mpirje të mishit. Kjo substancë mashtron përdoruesit, duke menduar se po marrin kokainë sepse në fakt ka një efekt të ngjashëm.
Autori kryesor, Dr Thomas Miller nga King’s College London, tha: “Ndonëse përqendrimet ishin të ulëta, ne ishim në gjendje të identifikonim komponimet që mund të jenë shqetësuese për mjedisin dhe në mënyrë vendimtare, gjë që mund të përbëjë rrezik për kafshët e egra”.





