Në sport, si në shumë fusha të jetës nëse nuk do të kishte gabime, gjithçka do të ishte shumë monotone. Në fund të fundit, përsosmëria është e lodhshme, përderisa edhe “tiki-taka”, që mrekulloi botën, erdhi një moment kur u bë e mërzitshme. Atëherë është e qartë që duhet variacion, duhen edhe gabimet për t’i dhënë ngjyra jetës e sportit.
Isli Hidi gaboi në dy ndeshje, kundër Laçit e Flamurtarit. Për fatin e keq të portierit ishin dy aksidente që ndodhën njëri pas tjetrit. Sidomos ndaj kuqezinjve u dallua që 38-vjeçari nuk po vuante një formë negative, përkundrazi e shpëtoi në 3-4 raste skuadrën, megjithatë, ndoshta edhe për t’i dhënë një lloj qetësie pas dy gabimeve, trajneri Shkëmbi nuk e aktivizoi ndaj Tiranës.
Askujt nuk i pëlqen të qëndrojë në stol, por Hidi, me pjekuri e profesionizëm nuk tha një gjysmë fjale. Tekniku i riktheu në duar çelësat e portës ndaj Kukësit dhe “gardiani” u shpall lojtari më i mirë në fushë, duke kryer një pritje të pabesueshme ndaj Shkurtajt. Përvojë, akrobaci, inteligjencë, të gjitha të përmbledhura në një moment të vetëm.
Ish-kampioni i Tiranës është një garanci për “Djemtë e Detit”, një armë e fortë në çastin më vendimtar të sezonit. Europa ka qenë objektivi që në ditën e pare të përgatitjeve dhe sot një gjë është e sigurt: me një portier në nivelin e Isli Hidit ky objektiv është shumë më pranë realizimit.





