Taksa 100% e qeverisë së Kosovës mbi artikujt nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, ka ndryshuar situatën e tregut kosovar, ku mbizotëruese nuk janë më mallrat serbe: vendi që kryeson tani me produktet e veta atje, është Gjermania.
Para vendosjes së taksës, për dy dekada radhazi Serbia ka qenë shteti me sasinë më të madhe të mallrave në tregun kosovar, por sot radhitet e fundit, thotë radio Europa e lirë. Këto pohime mbështeten dhe nga të dhënat e publikuara së fundi në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Sipas raportit Gjermania gjatë muajit të kaluar ka eksportuar mallra në vlerë mbi 40 milionë euro, në një kohë kur përpara një viti, kjo vlerë llogaritej në mbi 30 milionë euro. Pas Gjermanisë, vendet më të pranishme me produktet e tyre në Kosovë janë Turqia, Kina, Maqedonia e Veriut dhe Italia.
Nga shtetet e rajonit, apo vendet anëtare të Marrëveshjes për Tregti të Lirë – CEFTA, vendin e parë në këtë drejtim e mban Shqipëria. Bizneset tregtare në Kosovë kanë gjetur alternativa të tjera të zëvendësimit të produkteve nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina. Sipas tyre, tregu është i mbuluar mirë me produktet e nevojshme nga vendet anëtare të CEFTA-s dhe Bashkimit Europian.