Më 19 maj, katër komunat veriore të Kosovës pritet të hyjnë në zgjedhje të parakohshme. Këto zgjedhje tek banorët shqiptarë të zonave luajnë pak rol, por nuk japin garanci që gjendja në veri të Kosovës do të ndryshojë.
Pak kilometra larg Mitrovicës së Jugut, gjendet fshati Çabër, i vetmi me popullsi shqiptare në Komunën e Zubim Potokut. Për Besim Kurtin, që u lind e rrit në këtë fshat, gjendja nuk ka ndryshuar shumë që nga paslufta.
Madje, Kurti tregon se nuk ka dëshirë të dalë as në zgjedhjet për kryetar të 19 majit. Ndërsa, bashkëfshatari i tij, Enver Hasani thotë se do të dalë që t’u jap përkrahje kandidatëve shqiptar. Por, në Çabër janë vetëm 1000 banor shqiptar.
Përveç Zubim Potokut, zgjedhjet do të mbahen edhe në Mitrovicën e Veriut, Leposaviqit e Zveçanit. Por, aspak demokratike nuk i vlerëson njohësi i procesit zgjedhor, Mazllum Baraliu.
Megjithatë, Lista Serbe është certifikuar për t’i hyrë garës, pasi ka bërë plotësimin e aplikacionit sipas Ligjit për Zgjedhje. Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka ka treguar se pjesë e procesit do të jetë edhe OSBE.
Katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës, patën dhënë dorëheqje më 27 nëntor të 2018-ës, pas rritjes së masës mbrojtëse nga 10 në 100 për qind për produktet serbe.
Mirëpo nëse Lista Serbe del fituese e zgjedhjeve në katër komunat veriore, institucionet Kosovës nuk kanë garanci se kandidatët do ta mbajnë postin e kryetarit, meqë vendimi i Qeverisë së Kosovës për masën mbrojtëse 100 për qind ndaj produkteve serbe po vazhdon të jetë në fuqi.