Kandidatët nga Lista Serbe për kryetar të komunave për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Shtatë anëtarë votuan për, përderisa anëtarët e KQZ-së nga VV-ja Adnan Rrustemi dhe Nazlie Bala abstenuan.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se të gjitha palët që nuk janë të kënaqur me këtë vendim kanë të drejt ankese.
Valdete Daka- Kryetare e KQZ: Të gjitha palët kanë të drejt ankesë brenda 24 orëve, edhe Lista Serbe ka të drejtë ankesa nga ky moment.
Anëtari i KQZ-së nga LVV-ja Adnan Rrustemi ka kërkuar edhe një herë që Listës Serbe t’i jepet afat edhe 24 orë që të ndërroj emrat e tre kandidatëve dhe të distancohet nga deklaratat që kundërshtojnë shtetësinë e Kosovës.
Adnan Rustemi –LVV: Kam prit që në këto 24 orë të zëvendësoj kandidatët që kanë dhënë dorëheqje. Që të mbahen zgjedhje të mirëfillta. Kom prit që të distancohet nga përmbajtja e këtyre deklaratave. T’i japin edhe 24 orë t’i zëvendësoj 3 nga 4 kandidatët ose të ndërroj qëndrim në këtë drejtim.
Tre nga kandidatët e Listës Serbe janë ish kryetarët e po të njëjtave komuna të cilët dhanë dorëheqje si shenjë pakënaqësie ndaj taksës së vendosur nga qeveria e Kosovës për produktet serbe.
Zyrtarë të Listës Serbe nga veriu kanë paralajmëruese se nëse të njëjtit rizgjidhen në komunat përkatëse ata sërish do të dorëhiqen.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të drejtë vote kanë 58 520 votues, me dallim prej 1 507 votues më shumë, në krahasim me Zgjedhjet e Lokale të datës 22 Tetor 2017.