Për shkak të motit të keq në Adriatik, 2 tragete të linjës Durrës-Bari janë nisur nga porti i Durrësit me 6 orë vonesë.

Kështu, rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, pasi u stabilizua gjendja në det, u nisën tragetet në drejtim të vendit fqinj.

Ndërkohë, Kapitaneria e portit bëri me dije se tre tragetet e planifikuara nga Italia kanë mbërritur në kohë në portin e Durrësit.

Më herët Kapitaneria dha njoftim për përkeqësim të motit.

Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton se bregdeti ynë do të përfshihet në datat 22-23 prill nga era me drejtim jug-lindje dhe forca e detit do të jetë 7 shkalla Boufort.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, DPD kërkon bashkëpunimin e të gjitha subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.