Xhinset i veshin të gjithë dhe janë padyshim një nga veshjet më të përdorura në botë, por shumë pak e dinë që ato janë dizenjuar si fillim për punëtorët e ndërtimit dhe minatorët. Arsyeja pse u prodhuan në masë për ta, ishte fakti që materiali i xhinseve është shumë rezistent ndaj kushteve të vështira të punës. 

Sot xhinset vijnë në dizajnë dhe ngjyra të ndryshme, por diçka që e kanë të përbashkët shumica prej tyre është fakti që kanë kopsa metalike te pjesa e xhepave. E dini pse ekzistojnë ato?

Sipas "Times of India", fakti që janë prodhuar fillimisht për punëtorët justifikon dizenjimin me kopsat në fjalë. Për shkak të punës së rëndë, pantallonat e punëtorëve prisheshin në cepat e xhepave, ndaj për të shmangur këtë problem u vendosën kopsat metalike. Që prej asaj kohe xhinset nuk qenë më të njëjtat.