Nadir Çausholli adreson një letër duke keqpërdorur emrin e një gazetari.
“Ky është një skandal sepse është një nga cenimet më të mëdha që mund t’i bëhet imazhit, integritetit dhe identifikimit të gazetarit për shkak të detyrës në misionin raportues, por qoftë edhe investigues”, tha Aleksandër Çipa, nga Unioni i Gazetarëve.
Një sulm i tillë ndaj emisionit investigativ Top Story vjen menjëherë pas transmetimit të një dokumentari për cilësinë e barnave të skaduara dhe me origjinë të dyshimtë. Emisioni kishte për qëllim evidentimin e të gjitha depove farmaceutike që kanë kryer abuzim në dëm të shëndetit.
“Ky detaj të lë shijen e shantazhit që mund t’i bëhet gazetarit apo qoftë edhe një redaksie në përgjithësi, janë shantazhe që mbartin edhe intimidimin, por edhe devijimin e misionit të gazetarit”, tha Aleksandër Çipa. /Top Channel





